2006-12-07 18:29:37

Raporti Bejker për Irakun pozitiv edhe për irakianët.


(07.12.06 RV) RealAudioMP3 Ndërsa presidenti Bush dhe kryeministri britanik Bler diskutojnë mbi luftën kundër terrorizmit dhe gjendjen në Irak, gjithnjë e më shumë bëhen të njohura propozimet e komisionit bipartizan Bejker/Hamilton për tërheqjen amerikane nga vendi arabik. Pavarësisht se nuk përcaktohet një kalendar i saktë për këtë, studimi i paraqitur dje në Shtëpinë e Bardhë parashikon që ushtarët amerikanë të kalojnë nga detyra luftimi në detyra mbështetjeje të forcave irakiane brenda 3 muajve të parë të vitit 2008. Cilat janë pasojat e këtyre ndryshimeve, nëse pranohen nga administrata Bush? Pyetëm Kamil Eid, ekspert i Lindjes së Mesme i gazetës kishtare italiane “Avvenire”:
Raporti thotë se qeveria irakiane duhet të përshpejtojë marrjen e kontrollit mbi sigurinë e vendit e kjo bëhet duke rritur cilësinë dhe numrin e brigadave të ushtrisë. Pra, nuk thotë “tërheqim trupat e t’i lëmë irakianët ta zgjidhin vetë punën e tyre”. Flet sidomos për nevojën që të inkurajohet qeveria irakiane të bëjë hapa vendimtare në drejtim të pajtimit kombëtar. Pra, forcimi i sigurisë shoqërohet me promovimin e pajtimit kombëtar, përndryshe e dënojmë Irakun me kaos total.
Cilat janë pasojat për Kishën lokale?
Kisha ka paguar e vazhdon të paguajë një çmim tepër të lartë. Para tri ditësh kanë rrëmbyer meshtarin e gjashtë. Gjatë tri vjetëve të fundit, Kisha ka humbur minimum 100 mijë besimtarë, të cilët kanë ikur në Siri, në Jordani e vende të tjera. Cdo javë famullitarëve u kërkohen 50 çertifikata pagëzimi, të nevojshme për të treguar jashtë vendit fenë së cilës i përkasin njerëzit. Ekziston pra një eksod masiv, i cili po të vazhdojë gjatë, do të sjellë zvogëlimin e pranisë së krishterë në Irak.

 
Ndërkaq, për raportin amerikan mbi Irakun është prononcuar Siria, e cila e konsideron atë pozitiv. Raporti përfshin Sirinë dhe Iranin në zgjidhjen e problemeve të Lindjes së Mesme. Në këtë moment, për Sirinë është i rëndësishëm rifitimi i sovranitetit në Lartësitë e Golanit, të pushtuara nga Izraeli gjatë dy konflikteve të vitit 1967 dhe 1973.
Nga ana tjetër, pikërisht mbi këtë temë, kryeministri izraelit Ehud Olmert deklaroi sot se nuk do të ketë asnjë dialog me Sirinë. Sipas Tel Avivit, Siria mbështet organizata si Hamasi dhe Hezbollahët. Gjithashtu, Olmert nuk pranoi se zgjidhja e problemit irakian kalon nëpërmjet një zgjidhjeje më të zgjeruar, që përfshin krejt Lindjen e Mesme.







All the contents on this site are copyrighted ©.