Imzot Mambertì theksoi në OSBE se fetë janë në rrezik, në se bëhen viktima të paragjykimeve.
(6.12.2006 RV)“Të gjitha fetë janë në rrezik, kur njëra prej tyre është viktimë
e stereotipeve dhe e paragjykimeve”. Këtë theksoi imzot Dominik Mambertì, Sekretar
i Vatikanit për marrëdhëniet me Shtetet, në fjalimin e tij të parë, mbajtur në Këshillin
e Ministrave të OSBE-së, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që përfundoi
dje në Bruksel. Kujtojmë se OSBE-ja është organizëm në të cilin marrin pjesë 56 shtete:
të gjitha shtetet evropiane si dhe SHBA, Kanadaja, tetë republikat aziatike ish-sovjetike
dhe Turqia. Imzot Mambertì nënvizoi se në botën se sotme, që ndryshon, janë më
të nevojshme se kurrë dialogu e toleranca. Prandaj – vijoi prelati – të gjitha fetë
janë në rrezik, përderisa nuk njihet ose relativizohet intoleranca, të cilës detyrohet
t’i nënshtrohet njëra prej tyre. Në këtë kuptim – shtoi Imzot Mambertì – nuk mund
të harrohet se pikërisht në zonën e OSBE-së u vra një meshtar katolik e se të krishterët
kanë qenë vazhdimisht viktima të dhunës e të sulmeve. E si munden fetë ta promovojnë
me autoritet e sukses respektin e mirëkuptimin – pyeti prelati – në se ata vetë janë
viktima të streotipeve e të paragjykimeve? Duhet, prandaj të shmanget çdo formë e
përbuzjes së feve – pohoi Imzot Mambertì i cili, duke cituar një nga fjalimet e Benediktit
XVI në Turqi, theksoi se njohja e rolit pozitiv që luajnë fetë në gjirin e shoqërisë
mund e duhet t’i japë një shtytje të re shoqërive tona për të thelluar gjithnjë më
shumë njohjen e njeriut e për t’ia respektuar gjithnjë më mirë dinjitetin. Prelati
e ftoi OSBE-në t’i japë përgjigje të suksesshme kërcënimit të terrorizmit dhe problemeve
të emigracionit e të sigurisë energjitike, ku duhet kërkuar shkaku i padrejtësive
ekonomike e shoqërore. Sekretari i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet i nxiti të
gjithë pjesëmarrësit në Këshill, ta thellojnë luftën kundër trafikut të njerëzve,
duke i mbrojtur viktimat. Vëmendje të veçantë – nënvizoi prelati – i duhet kushtuar
plagës së shfrytëzimit seksual të fëmijëve, e cila shpesh herë lidhet ngusht me trafikun
e njerëzve. Në përfundim Imzot Mambertì uroi që të forcohet bashkëpunimi ndërmjet
vendeve të OSBE-së për të krijuar kështu një zonë paqeje e stabiliteti, duke saktësuar
se për të pasur demokraci të suksesshme, është i nevojshëm një bashkëpunim sa më i
frytshëm shumpalësh.