Koha e Ardhjes na përgatit për Krishtlindje. Intervistë me kryeipeshkvin Komastri.
(5.12.2006 RV)Me të dielën
e parë të Kohës së Ardhjes, për Kishën filloi viti i ri liturgjik. Ftuam në mikrofonin
tonë imzot Angjelo Komastrin për të na shpjeguar, së pari, ç’është Viti Liturgjik? Përgjigje:
- Viti liturgjik është rrugëtim, është kohë që lëviz duke na bërë ta rijetojmë
jetën e Jezusit. Pritjen, Lindjen, Mundimet, Ngjalljen, Rrëshajët: për ne të krishterët
koha nuk ka kuptim në se nuk lëviz rreth Jezusit e, me qenë se mësojmë gjithnjë nga
Jezusi, kemi nevojë të kthehemi vazhdimisht tek misterit i Krishtit, që të na hyjë
në shpirt deri në atë pikë, sa të mund të themi me plot gojën se jemi të krishterë,
që do të thotë njerëz të cilët kanë aromën e Krishtit. Pyetje: - Kjo kohë,
që ka në bazë fjalën ‘Ardhje’, na bën të mendojmë se pritet diçka që do të ndodhë…? Përgjigje:
- Është e vërtetë se Koha e Ardhjes na shtyn të mendojmë se do të ndodhë diçka,
por niset nga diçka që ka ndodhur tashmë. Koha e Ardhjes niset nga Lindja e Zotit,
nga ardhja e Jezusit në histori për të hapur brënda kësaj historie, të njollosur
nga mëkati, një shteg shëlbimi. Ne e dimë se kjo tashmë ka ndodhur, Biri i Zotit
është bërë njeri, ka hyrë në historinë tonë deri në atë pikë, sa ne sot mund të themi
se jemi farefis me Zotin, sepse Zoti u bë njeri; por shëlbimi nuk është përmbushur,
shëlbimi nuk është kryer, shëlbimi nuk ka përfunduar; shëlbimi ka filluar, ka nisur
si tharm, si fryt i parë. Ne presim kthimin e Jezusit, që të përmbushet shëlbimi,
që njerëzimi të çlirohet plotësisht nga pesha e fajit e bota të çlirohet nga skllavëria
e mëkatit. Ne presim qiej të rinj e tokë të re, presim Jeruzalemin e ri e prandaj,
ndërsa kujtojmë ardhjen e Jezusit në histori, ndezim kandilin, ose më mirë të themi
e mbushim me vaj – për të shkuar pastaj të përgatitur si duhet në takimin me Zotin
që vjen.