2006-12-05 17:00:06

Benedikti XVI shpejton hapat në rrugën e ekumenizmit: pas pak ditësh do të presë në Vatikan Kryepeshkopin e Athinës, Kristodulos.


(5.12.2006 RV)Vizita e parë zyrtare që Fortlumturia e Tij i bën Papës dhe Kishës së Romës, e cila do të zgjasë deri më 16 dhjetor, tregon qartë se rruga ekumenike e Kishës vijon. Kryepeshkopi grek ka qenë në Romë për salikimet e Gjon Palit II – njofton një notë e Sallës vatikanase të Shtypit – por është hera e parë që Primati i Kishës Ortodokse të Greqisë i bën një vizitë zyrtare Papës e Kishës së Romës. Papa do ta presë të enjten, më 14 dhjetor. Gjatë një kremtimi solemn në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, Kryepeshkopit grek do t’i dorëzohet një pjesë e zinxhirit të çmuar me të cilin qe lidhur Shën Pali në burg, që ruhet në këtë bazilikë. Nëntorin e kaluar, Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse shprehu gëzimin për realizimin e kësaj vizite, frytet e së cilës – u nënvizua – do të jenë pozitive.
Kryepeshkopi – shton Salla vatikanase e Shtypit – do të pritet me dashuri vëllazërore kishtare e me nderimet që i takojnë rangut të tij si Primat i Kishës Ortodokse të Greqisë. Në vijim kujtohet se në vitin 2001, gjatë shtegtimit të tij apostolik në gjurmët e Shën Palit, Gjon Pali II pati shkuar në Aeropagun e Athinës ku, pas një kremtimi solemn, nënshkroi një Deklaratë të përbashkët me kryepeshkopin Kristodulos. Papa Vojtila u prit në selinë e Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse të Greqisë. Në vitet e mëpasme – nënvizohet në notë – shkëmbyen vizita një delegacion i Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse të Greqisë që erdhi në Romë e një delegacion i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, që shkoi në Athinë. Këtyre nismave u shtohen edhe takime të tjera vëllazërore ndërmjet Kishës së Romës e Kishës Ortodokse të Greqisë.
“Duhen bërë gjeste konkrete, që hyjnë në shpirt e tundin ndërgjegjet, duke i nxitur të gjithë për atë kthesë shpirtërore, që është parakusht i çdo progresi në rrugën e ekumenizmit”: ishte data 20 prill 2005 kur Benedikti XVI i shqipoi këto fjalë në Kapelën Sikstine. Kishin kaluar vetëm 24 orë nga koha kur kardinali Jozef Racinger ishte zgjedhur i 264-ti Pasardhës i Shën Pjetrit. E Papa do të vijonte të kryente me guxim gjeste të tilla, duke treguar se ekumenzimi është impenjim i dorës së parë në papninë e Tij. Kështu, në shtegtimin e parë apostolik ndërkombëtar në atdhe për Ditën Botërore të Rinisë, Benedikti XVI deshi të programohet edhe një takim ekumenik. “Ndasitë tona – pohoi në kryeipeshkvinë e Këlnit – janë në kundërshtim me vullnetin e Jezusit e na bëjnë pak të besueshëm përballë botës. I nxiti, kështu, të gjithë besimtarët të impenjohen me zell e përkushtim për të dhënë një dëshmi të përbashkët.
E pikërisht zelli e përkushtimi i dallon edhe shumë takime të tjera domethënëse ekumenike të Papës në përfundim të vitit 2006. Më 17 nëntor Benedikti XVI priti pjesëmarrësit në plenaren e Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve. Mbi të gjitha - vërejti Papa gjatë këtij takimi - duhet promovuar ekumenizmi i dashurisë, i cili buron drejtpëdrejtë nga urdhërimi i ri që u dha Jezusi nxënësve të vet:
Dashuria, e shoqëruar nga gjeste koherente, krijon besim, hap zemrat e sytë. Dialogu i dashurisë, për vetë natyrën e tij, promovon dhe ndriçon dialogun e së vërtetës: e pikërisht në të vërtetën e plotë do të arrihet takimi përfundimtar drejt të cilit na prin Shpirti i Krishtit”.
Kalojnë vetëm pak ditë e, më 23 nëntor Papa pret në Vatikan kryeipeshkvin e Kanterbërit, Rouan Uiljams. Primatit të Bashkimit Anglikan Ati i Shenjtë nuk ia fsheh vështirësitë që nuk mungojnë në rrugën e bashkimit të plotë, të dukshëm të të krishterëve, por më pas thekson edhe marrëdhëniet e mira që, duke vijuar të thellohen, kanë krijuar rrethana të reja. E, në këtë atsmosferë, duhet kujtuar edhe takimi i Komisionit të përbërë ndërkombëtar për dialogun ndërmjet Kishës katolike e Kishës ortodokse, mbajtur në Beograd në shtatorin e kaluar. Ishte ngjarje tepër e rëndësishme, pas një ndërprerjeje që zgjati gjashtë vjet.
E pastaj, përqafimi vëllazëror me Bartolomeun I në Stamboll, çast kulmor i përmasës ekumenike të shtegtimit apostolik në Turqi, pak ditë më parë. Në Fanar, seli e Patriarkanës ekumenike, Papa i ftoi katolikët e ortodoksët të punojnë për bashkimin në dashuri e vërtetësi E sërisht përsëriti thirrjen për të marrë pjesë gjallërisht në këtë proces me lutje e gjeste domethënëse. Më pas, në katedralen e Shpirtit Shenjt në Stamboll, ripohoi se perspektiva ekumenike zë vendin e parë ndërmjet problemeve të tij kishtare. Gjithnjë në Stamboll, Benedikti XVI u takua me Patrikun armen apostolik Mesrobi II. Ndarjet tragjike ndërmjet ndjekësve të Krishtit gjatë shekujve – theksoi Papa në këtë takim – i kundërvihen hapazi vullnetit të Zotit dhe janë shkandull për botën. E edhe një herë, Benedikti XVI kërkoi gjeste që janë në gjendje t’i mjekojnë plagët e përçarjes, duke krijuar kushte për bashkëpunimin gjithnjë më të sinqertë ndërmjet gjithë nxënësve të Krishtit, derisa të arrihet bashkimi i tyre i plotë.







All the contents on this site are copyrighted ©.