2006-12-05 18:31:49

31 viktima vetëm sot në Irak; Këshilli i Sigurimit diskuton sanksionet kundër Iranit e lajme të tjera.


(05.12.06 RV) Vazhdon gjakderdhja në Irak. Persona të armatosur kanë vrarë sot 15 punonjës të një fondacioni fetar shiit, një ditë pasi një nga liderët më të fuqishëm irakian shiit i bëri thirrje presidentit Bush të godasë më fuqishëm rebelët sunitë për të shmangur luftën civile. Civilët ishin punonjës të një kompanie, që mbikëqyr vendet e kultit. Ndërkaq, nga shpërthimet e tri autobombave janë vrarë, po sot, 16 vetë dhe janë plagosur edhe 25 të tjerë.
Diplomatët e pesë anëtareve të përhershme të Këshillit të Sigurimit dhe Gjermanisë bisedojnë sërish sot, në Paris, për programin bërthamor iranian. Moska para një muaji deklaroi se nuk pajtohet me sanksionet që propozon SHBA-ja. Autoritetet iraniane, nga ana tjetër, pohojnë se programi i tyre bërthamor shërben vetëm për qëllime paqësore. Sot, presidenti Ahmadinexhad deklaroi se do të rishikojë marrëdhëniet me disa prej vendeve evropiane nëse vazhdojnë të pengojnë programin bërthamor iranian.


Kryeministri palestinez, Ismail Hanijeh bëri thirrje sot për rifillimin e dialogut për formimin e qeverisë së bashkimit kombëtar, megjithëse saktësoi se lëvizja e tij Hamas nuk do të bëjë asnjë lëshim, si për shembull njohjen e Izraelit. Dialogu u pezullua në fund të nëntorit, pikërisht për këtë arësye dhe për shkak të refuzimit të organizatës Hamas të njohë marrëveshjet e mëparshme izraelito-palestineze.
Ndërkaq, në Izrael ka shkaktuar polemika vendimi i Ministrit të Arësimit për të vendosur në tekstet e studimit linjën e demarkacionit ndërmjet Izraelit e Territoreve Palestineze, ashtu siç ishte deri në vitin 1967, kur Izraeli pushtoi Cisjordaninë, një pjesë të Golanit dhe Rripin e Gazës. Sipas tij, studentët duhet të kuptojnë pasojat që solli e ashtuquajtura luftë e gjashtë ditëve.


Situatë delikate në Liban. Sot është dita e pestë e protestave të shiitëve kundër qeverisë së Fuad Siniorës, në të cilën 6 ministra kanë dhënë dorëheqjen. Manifestuesit Hezbollah dhe aleatët pro-sirianë të tyre kërkojnë një qeveri të bashkimit kombëtar, ku forcat filosiriane të kenë më tepër zë.


Grusht shteti në ishujt Fixhi. Kreu i forcave të armatosura mori në dorë pushtetin, që deri tani mbahej nga kryeministri Karase, u vetëshpall president dhe emëroi një qeveri të përkohshme deri në zgjedhjet e reja. Gjatë kohëve të fundit ishujt Fixhi kanë pasur grushte të vazhdueshme shteti, arësye për të cilën, Britania e Madhe ka vendosur të mos u japë më ndihma.







All the contents on this site are copyrighted ©.