2006-12-04 16:14:55

Çelibati për meshtarët nuk është në rendin e ditës të autoriteteve kishtare: kështu shprehet kardinali Hjums në një notë të Sallës vatikanase të Shtypit.


(4.12.2005 RV)Deklarata e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë publikohet pas një interviste dhënë gazetës braziliane “Estrado do Sao Paulo’ nga prefekti i ri i Kongregatës për Klerin.
“Në Kishë – nënvizon kardinali Klaudio Hjums – ka qenë gjithnjë e qartë se detyrimi i çelibatit për meshtarët nuk është dogmë, por normë disiplinore”. E këtë – vijoi kardinali - e vërteton fakti se ky detyrim vlen për Kishën latine, por jo për ritet lindore, ku edhe në bashkësitë në unitet me Kishën katolike, është normale të ketë priftërinj të martuar. E megjithatë është po aq e qartë - vijon deklarata – se norma që i detyron meshtarët e Kishës latine të mos martohen, është shumë e lashtë, e mbështetur mbi një traditë të konsoliduar dhe mbi arsye shumë të forta, me karakter si teologjiko-shpirtëror, ashtu edhe praktiko-baritor, gjë që është ripohuar vazhdimisht edhe nga papët.
Prefekti i ri i Kongregatës për Klerin kujton më pas se “edhe në sinodin e fundit të ipeshkvijve kushtuar figurës së meshtarit, shumica e etërve sinodalë ishte e mendimit se zgjidhja e problemit të mungesës së thirrjeve për rrugën e meshtarisë nuk varet nga çelibati. Një problem i tillë lidhet më shumë me shkaqe të tjera, duke filluar nga kultura e shekullarizuar moderne, siç e tregon edhe përvoja e konfesioneve të tjera të krishtera, që kanë priftërinj ose ipeshkvij të martuar. Prandaj – përfundon Kardinali Hjums - kjo çështje nuk është në rendin e ditës të autoriteteve kishtare, siç e ka pohuar edhe Benedikti XVI pas takimit të fundit me kryetarët dikastereve të Vatikanit.








All the contents on this site are copyrighted ©.