2006-12-04 16:14:39

Gjatë mbrëmsoreve të para të Kohës së Ardhjes, Benedikti XVI theksoi se dëshira për paqe mund t’i bashkojë njerëzit e të gjitha kombeve e kulturave.


(4.12.2006 RV) Koha e Ardhjes u krijon të gjithëve mundësinë për të zbuluar se Zoti është gjithnjë pranë njeriut. Kështu u shpreh Papa gjatë lutjeve të para mbrëmsore të Kohës së Ardhjes. Dëshira për paqe – nënvizoi Benedikti XVI, mund t’i bashkojë njerëzit e të gjitha kombeve e kulturave, besimtarë e jo besimtarë Është kohë që duhet jetuar në bashkim me të gjithë ata që besojnë në një botë më të drejtë e më vëllazërore.
“Të gjithë, ndonëse për arsye të ndryshme, kanë të njëjtën dëshirë për një ardhmëri me drejtësi e paqe”. Mendoi për mbarë njerëzimin Benedikti XVI në reflektimin, me të cilin u hapi besimtarëve rrugën drejt Kohës së Ardhjes. Paqja është caku që e dëshirojnë të gjithë, nënvizoi Ati i Shenjtë, dhe më pas shtoi:
“Për besimtarët, paqja është një nga emrat më të bukur të Zotit, që dëshiron mirëkuptimin e të gjithë bijve të tij, siç e kujtova edhe pak ditë më parë në Turqi”.
Me liturgjinë e Kohës së Ardhjes – shpjegoi Ati i Shenjtë – Kisha bën të ndjehet fort pritja e Zotit, që ka gjurmë të thella në historinë e njerëzimit. Kjo pritje, për fat të keq, nganjëherë zbehet ose dredhon rrugë e niset në drejtime të rreme. E në të – theksoi Papa – rëndësi themelore kanë lutja e veprat e mira, sepse na hapin shtegun që na çon në takimin me Krishtin.“Në këtë perspektivë, Koha e Ardhjes është më e përshtatshme se kurrë të jetohet bashkë me të gjitha ata – e faleminderës Zotit janë shumë – që shpresojnë në një botë më të drejtë e më vëllazërore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.