2006-12-02 15:43:34

Filloi Koha e Ardhjes qe na therret te pergatisim zemrat per Krishtlindje


(3.12.2006 RV)RealAudioMP3 Papa Benedikti XVI kremtoi dje, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, uratët e para mbrëmësore të së dielës së parë të Kohës së Ardhjes, cikli i tretë sipas Kalendarit kishtar.
Filloi, kështu, një kohë hiri, në të cilën rijetojmë pritjen e gjatë që i parapriu Mishërimit të Zotit, kohë në të cilën Kisha kremton, në mister, përmbushjen e shëlbimit, në pritje të ardhjes së fundit të Zotit. Edhe sot në Lutjen e Engjëllit të Tënzot Ati i Shenjtë kujtoi pikërisht fillimin e Kohës së Ardhjes. Krijimit të atmosferës së kësaj Kohe liturgjike iu kushtua edhe projektimi i parë i filmit “Nativity” – “Lindja e Krishtit” e Katerinë Hardvik, në sallën e Palit VI në Vatikan. Përmes tij transmetohet me mjete filmike misteri i Mishërimit të Krishtit, duke i qëndruar shumë besnik rrëfimit Ungjillor e duke u mbështetur në traditën e madhe ikonografike të artistëve të të gjitha kohërave, që kanë pikturuar amësinë e Virgjërës Mari.
“Varfanjakut të Betlehemit” iu kushtua edhe lutja e shkruar me këtë rast nga imzot Angelo Komastri:
O Zot, në sa koha i shkatërron të gjitha shpresat,
e vetmja shpresë mbetesh Ti!
Në sa shekuj e shekuj me mijëra
kalojnë e zhduken,
Ti mbetesh përherë i ri.
Ti ruan freskinë e lules e të gurrës së acartë.
Në sa pasuritë gjithnjë më shumë zbulojnë
një fytyrë që gënjen e grimcohet,
Ti prap na mahnit, na josh përsëri
veç me varfërinë e Betlehemit.
O Zot, lodhur janë fjalët,
premtimet vijojnë të përsëriten
e të kundërshtojnë vetveten pambarim.
Po flakëza e shpresës në shpirt nuk na shuhet,
etja për dritë rilind pambarim;
e pritja lulëzon përsëri.
Presim diçka, presim Dikë.
Të presim Ty, o Foshnje e varfër e Betlehemit,
je ti përgjigja që në shpirtin tonë jehon,
Ferishte e Betlehemit,
je pasuria që ne s’e kuptojmë,
Ti, varfanjak i Betlehemit,
je paqja që aq fort na mungon.
O Zot, i lindur në Betlehem,
qytet i varfërisë e i vogëlsisë sonë,
vrapojmë pranë Marisë,
të të shikojmë me sy,
të të duam me zemër,
për të qenë, më në fund, me Ty, të lum,
o Varfanjak i Betlehemit,
se vetëm Ti mund të na dhurosh,
një rreze drite në errësirën tonë.
Amen.







All the contents on this site are copyrighted ©.