2006-12-01 17:38:10

Zgjidhja e problemit palestinez në "Forumin për të ardhmen" në Jordani e lajme të tjera.


(01.12.06 RV) Zgjidhja e problemit palestinez është kushti i vendosur nga vendet arabe për të marrë pjesë në normalizimin e Irakut. “Forumi për të ardhmen” që u mbajt sot në Shuneh, në brigjet jordaneze të Detit të Zi, përfundoi pa asnjë rezultat konkret, por me deklaratën se vetëm nëpërmjet bashkëpunimit mund të thyhet zinxhiri i konflikteve, që shkon nga Palestina në Afganistan, duke kaluar në Liban e Irak. 36 ministrat e jashtëm të G8-ës dhe të Lindjes së Mesme u konfrontuan mbi temat e “nxehta” të zonës, si Iraku e kriza izraelito-palestineze. Nesër, pas 3 vjet e gjysëm në Nasiri, përfundon misioni italian në Irak e kthehet në shtëpi edhe ushtari i fundit.


Fillon sot turneu i ri në Lindjen e Mesme, i Përfaqësuesit të Lartë evropian për politikën e jashtme, Havier Solana. Ai shkon fillimisht në Jordani e më pas në Gaza e Izrael. Do të takohet me presidentin palestinez Abu Mazen dhe me kryeministrin izraelit Ehud Olmert. Ky udhëtim bëhet në kuadrin e shpresave të reja që lindën nga vendosja e armëpushimit ndërmjet palestinezëve dhe izraelitëve. Solana mori pjesë sot në “Forumin për të ardhmen”, ku pati takime dypalëshe me ministrat e jashtëm të Gjirit Persik.


U zhvillua sot një manifestim imponent i shiitëve në sheshin e Martirëve në Bejrut të Libanit. Një milion e gjysëm përkrahësit e lëvizjeve pro-siriane, hezbollah dhe amal kërkuan dorëheqjen e qeverisë së kryesuar nga Fuad Siniora, e cila mbështetet nga SHBA dhe Bashkimi Evropian. Pas manifestimit filloi një sit-in, që demonstruesit kanë për qëllim ta vazhdojnë derisa qeveria të japë dorëheqjen.


Tragjedi në Filipine. Në lindje të vendit tajfuni i djeshëm “Durian” ka shkaktuar vdekjen e rreth 400 vetëve e plagosjen e shumë të tjerëve. Papa Benedikti XVI i ka dërguar nuncit apostolik në Filipine, një telegram ngushëllimi, me të cilin ia beson viktimat mëshirës hyjnore e lutet për familjarët. Ka filluar tashmë solidariteti ndërkombëtar për të ndihmuar popullsinë e zonës, por është akoma e vështirë të hysh në territor për shkak të detriteve të shpërndara në rrugët e komunikimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.