Papa Benedikti XVI shpreh dhimbjen për viktimat e tifonit Durian në Filipine.
(1.12.2006 RV)Tragjedi e vërtetë: në pjesën lindore të vendit tifoni ‘Durian’
shkaktoi vdekjen e më se 394 personave, në sa 90 të tjerë konsiderohen të humbur.
Fshatra të tëra janë fshirë nga faqja e dheut, të varrosura nën tonelata gurësh, hiri
e balte, pasojë e shpërthimit të vullkanit Maion, nisur që në gushtin e kaluar. Shumë
njerëz kërkojnë shpëtim në majë të çative të shtëpive, drejt të cilave qeveria ka
nisur për ndihmë ushtrinë. Por arritja e ndihmave nuk është aspak e lehtë, sepse
rrugët kryesore të komunikimit janë bërë të pakalueshme. Megjithatë nuk mungojnë shpresat:
ndërmjet gërmadhave të një shtëpie u gjet gjallë e u shpëtua një foshnjë dy muajshe. E
shenjë shprese është edhe telegrami i Papës: Ati i Shenjtë, si e mori vesh lajmin,
i dërgoi nuncit apostolik në Filipine, imzot Fernando Filonit, një telegram, nënshkruar
nga kardinali Bertone, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së tij. Përmes telegramit,
Benedikti XVI ia beson viktimat mëshirës hyjnore dhe lutet që popullsisë t’i arrijë
sa më shpejt ndihma e nevojshme.