2006-12-01 18:39:02

Një udhëtim që la mbresa të paharrueshme: bilanç përfundimtar i drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Lombardit.


(3.12.2006 RV)RealAudioMP3 Por për një bilanç të shtegtimit apostolik të Beendiktit XVI në Turqi, të ndjekim intervistën dhënë Radio Vatikanit nga drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit dhe drejtori ynë i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi:
Pyetje: -Me sa duket, kemi të bëjmë me një bilanç jashtzakonisht pozitiv. Një bilanç që sigurisht i tejkalon parashikimet e Papës dhe të bashkëpunëtorëve të tij. Më kujtohet se edhe në të kaluarën, kur nisnin shtegtime posaçërisht impenjative, më mirë të themi të vështira për Gjon Palin II, vlerësohej më pas guximi i Papës që i përballonte me zell të madh e me fe të madhe, duke arritur gjithnjë rezultate përtej parashikimeve. Më duket se e njëjta gjë ndodhi edhe tani me Benediktin XVI. Kjo është shumë e bukur e inkurajuese, sepse do të thotë që feja e guximi i papëve vlerësohet edhe në përballimin e situatave që nuk janë plotësisht të qarta. Mund të flasim, pra, për një bilanç pozitiv në të gjitha drejtimet: si në marrëdhëniet me popullin turk e me shtetin turk, ashtu edhe në marrëdhëniet me fenë myslimane, në marrëdhëniet ekumenike me konfesionet e tjera të krishtera e, së fundi, në inkurajimin e bashkësisë katolike vendase.
Pyetje: - Atë, ndërmjet kujtimeve të shumta, që mbeten të paharrueshme nga shtegtimi i Papës, sigurisht një vend të rëndësishëm zë vizita në Xhaminë Blu, një gjest që la mbresa të thella….
Përgjigje: - Ashtu është. Ky në të vërtetë është çasti që u ndoq me vëmendje më të madhe e, në një farë mënyre, qe edhe ngjarja më e re e më e papritur në krahasim me ç’ngjau pak javë më parë. Më duket, duke menduar edhe për ngjarjet e muajve të kaluar – për reagimet pas keqkuptimeve të fjalimit të Regensburgut – se vizita në Xhami qe akti simbolik që i vuri vulën fjalëve e deklaratave të bëra nga Papa dhe bashkëpunëtorët e tij në muajt e kaluar. Por duhej edhe ky akt, ky hap fizik, ky çast takimi i ngrohtë, me buzë në gaz e me zemër të hapur, që të dëshmonte se vështirësitë ishin kapërcyer e se dialogu ishte diçka reale, e thellë dhe e sinqertë. Them se jo vetëm çasti i lutjes, por edhe përzemërsia e dialogut me Myftiun e Madh e me Imamin, që e pritën Papën në Xhami, qenë çast posaçërisht shprehës e i mbarë
Pyetje: - Të kujtojmë një çast tjetër prekës të shtegtimit: atë të përqafimit të Benediktit XVI me Bartolomeun I, shenjë përzemërsie e dashurie që besoj se i dha një shtytje të re dialogut ekumenik…
Përgjigje: - Këtu është fjala për një rrugë që vijon. Eshtë rrugë që Papa Benedikti XVI e shikoi që në fillim, që nga dita e parë e zgjedhjes së tij, si një nga detyrat e dorës së parë të papnisë. Mendoj se përveç gjestit, ishin kuptimplote edhe fjalët e shqiptuara nga Papa gjatë Liturgjisë Hyjnore, përmes të cilave përsëriti ftesën e guximshme, të thellë edhe të përzemërt të Gjon Palit II për të diskutuar së bashku, për t’i kërkuar së bashku rrugët që çojnë në përcaktimin e misionit universal të Shën Pjetrit në shërbim të bashkimit të mbarë Kishës si dhe dëshirën për unitet, që u ripohua edhe gjatë homelisë në Meshën përfundimtare kremtuar në katedralen katolike të Stambollit. Edhe Bartolomeu I pati rastin të prekte problemet konkrete, për të cilat Kisha ortodokse kërkon solidaritetin, miqësinë e Kishës katolike në situatat e veta të vështira. Është fjala, prandaj, për një ekumenizëm që duhet të vijojë, si në këndvështrimin doktrinor, teologjik e ekleziologjik, ashtu edhe në dashurinë konkrete të krishterë, në afërsinë e solidaritetin për misionin e ungjillëzimit dhe të dëshmisë së krishterë në botën aktuale, e cila ka aq shumë nevojë.







All the contents on this site are copyrighted ©.