2006-12-01 17:50:42

Liturgjia e Fjalës së Zotit e së dielës I të Ardhjes “C”


(02.12.06 RV) RealAudioMP3 Dëgjues të nderuar, ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj here do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të së dielës së Parë të kohës kishtare të Ardhjes, të ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.
Sot fillojmë vitin e ri liturgjik me të dielën e parë të Ardhjes. Kalendari i Kishës nuk përkon me kalendarin civil; ai civil i referohet diellit, kurse ai liturgjik përshkon jetën e Jezu Krishtit. Etapa e parë e kësaj udhe është Krishtlindja, ngjarje tejet e rëndësishme, për të cilën përgatitemi shpirtërisht për katër javë, që janë pikërisht katër të dielat e Ardhjes.
Pse çdo vit përshkohet e njëjta rrugë, duke përkujtuar të njëjtat ngjarje? Po provojmë ta kuptojmë psenë.
C’ është festa e ditëlindjes? Pse e kremtojmë për çdo vit? A është gjithmonë e njëjta gjë? Jo. Sepse prej një viti në tjetrin përparojmë, rritemi, e shpresoj jo vetëm në gjatësi, por edhe në inteligjencë, në urtësi, në mirësi, në shumë sende të bukura, në miqësi me Jezusin, në dashuri me të tjerët.
Të kremtosh ditëlindjen domethënë të rifillosh nga fillimi, duke përkujtuar rritjen e përparimin tonë; po nuk është vetëm përkujtim, ne vazhdojmë të jetojmë duke përparuar e duke u rritur.
E njëjta gjë ndodh për fëmijët e të rinjtë në shkollë, për të rriturit në punë. Cdo vit duket se rifillojmë nga e para, mirëpo në realitet ne ecim gjithnjë përpara e nuk kthehemi mbrapa. Sepse ne çdo ditë përjetojmë, mësojmë, njohim, thellojmë dhe shijojmë diçka të re.
Kështu ndodh, do të duhej të ndodhte në ripërshkimin e jetës së Jezusit. Cdo vit e njohim më mirë, më nga afër, çdo vit rritet dashuria jonë ndaj Tij e Ai përherë më tepër mund të na japë gëzimin e vet e ndihmën e vet Hyjnore. Kështu pra, mund të kuptojmë se gjëja më e bukur është ta kemi Atë si mikun tonë; se jeta është e bukur kur i ndihmojmë të tjerët, kur i gëzojmë tjerët, duke u nisur nga ata që i kemi në shtëpinë tonë; sepse duhet t’i duam të gjithë pa bërë shumë dallime, duke ndihmuar sidomos ata që kanë më tepër vështirësi, për t’u bërë më të mirë.
Duke filluar kohën liturgjike të Ardhjes, Kisha na thotë: “Zoti po vjen; është koha të zgjohemi”. E këtë na e përsërit për katër javë. Shpresojmë të mos përfundojmë si shtatore, trupore të shpellës së Betlehemit e të jemi përgjumshëm si ai personazhi që, pikërisht sepse nuk do të zgjohet, nuk e heton, as nuk e merr vesh se kur mbërrin Krishtlindja.
Jezusi jo vetëm që një ditë para shumë vitesh ka ardhur në mesin e njerëzve, por Ai për ne vjen çdo ditë në ata persona që jetojnë pranë nesh, apo që Zoti na bën t’i takojmë kur të vijë në mbarimin e kohërave (Ungjilli i kësaj së diele) për të na marrë me vete përgjithmonë në gëzimin e parajsës qiellore, nëse jemi munduar në çdo rrethanë të jetojmë miqësinë me Të.
Kështu pra, leximet biblike të së dielës së parë të kohës së Ardhjes na thërrasin t’i dalim përpara në takim me besim, me gëzim dhe me impenjim.Tani ti dëgjojmë leximet biblike të liturgjisë Hyjore e pastaj homelinë.RealAudioMP3








All the contents on this site are copyrighted ©.