2006-11-30 19:03:40

Rusia kryeministrit të Kosovës: jo pavarësisë, po çdo lloj formule tjetër.


(30.11.06 RV) Kryeministri i Kosovës Agim Çeku, i cili që nga dita e djeshme ndodhet për një vizitë në Moskë, ka biseduar sot me kryetarin e Komitetit të Politikës së Jashtme të Dumës ruse, Konstatin Kosaçov dhe me zv/ministrin e Punëve të Jashtme, Vladimir Titov.
Kosaçov i kërkoi Cekut që të dialogojë drejtpërdrejt me Beogradin. “Serbët – theksoi ai – janë gati të pranojnë çdo zgjidhje, ku të mos përfshihet termi pavarësi”. Edhe shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nga ana e autoriteteve të Prishtinës, sipas përfaqësuesit të Dumës ruse, do të ishte kundër parimeve të bashkëpunimit evropian pas Luftës II Botërore, të cilat parashikojnë pamundësinë e ndryshimit të kufijve të shteteve, pa qenë dakord të gjitha palët në lojë.
Nga ana e tij, kryeministri kosovar përsëriti se objektivi i lidershipit të Prishtinës është arritja e shpejtë e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Prishtina, deklaroi ai, është gati të njohë serbishten si gjuhë të dytë kombëtare dhe t’i japë pakicës serbe mundësinë që të përfaqësohet në parlament dhe të formojë zona autonome në qendrat me shumicë serbe.







All the contents on this site are copyrighted ©.