2006-11-30 19:11:58

Më në fund takimi Bush-Al Maliki në Aman e lajme të tjera.


(30.11.06 RV) Pas tensioneve e polemikave, u zhvillua më në fund sot paradite takimi i shumëpritur ndërmjet presidentit amerikan Xhorxh Bush dhe kryeministrit irakian Nuri al-Maliki në Aman të Jordanisë.
Bush përsëriti mbështetjen e tij ndaj Al Malikit, një ditë pas publikimit në gazetën amerikane “Nju Jork Tajms” të një raporti sekret ku ekzekutivi irakian konsiderohet i dobët për të marrë në dorë fatet e vendit. Por, dy orë e gjysëm takimi ballë për ballë sqaruan edhe dyshimet më të vogla të irakianëve, për hir të të cilave, Al-Maliki nuk e takoi mbrëmë presidentin Bush, sipas programit. Të dy liderët u morën vesh për shpejtimin e formimit të forcave të armatosura dhe policisë irakiane, në mënyrë që së afërmi të jenë në gjendje të sigurojnë stabilitetin në vend. “Puna jonë do të kryhet deri në fund” deklaroi Bush.


Uashingtoni do të tërheqë gradualisht 15 brigata luftimi, që ndodhen aktualisht në Irak, por nuk është përcaktuar asnjë kalendar për tërheqjen e plotë. Të mërkurën e ardhshme, ky propozim i komisionit Bejker do t’i paraqitet presidentit amerikan Bush dhe Kongresit. Me këtë kompromis, trupat e luftimit, të cilat përbëjnë gati gjysmën e 150 mijë ushtarëve amerikanë në Irak, nuk konsiderohen si të përhershme në terren.
Ndërkaq, në Bagdad, gjatë 24 orëve të fundit janë gjetur 52 trupa pa jetë, të gjitha me shenja torture.


Negociatat për formimin e qeverisë palestineze të bashkimit kombëtar janë “në një rrugë pa krye” për shkak të pengesave që krijon grupi islamik Hamas. Kështu deklaroi presidenti palestinez Abu Mazen, në konferencën e përbashkët për shtyp me sekretaren amerikane të shtetit, Kondolica Rajs në Jeriko. Të dy ranë dakord mbi nevojën për ta vazhduar armëpushimin, në fuqi që nga e diela e kaluar në Rripin e Gazës. Rajs, e cila është takuar edhe me autoritetet izraelite në Jeruzalem, theksoi se Izraeli duhet të kryejë një sërë veprimtarisht humanitare për të përmirësuar kushtet e jetesës së palestinezëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.