2006-11-30 19:30:15

Duke takuar Patrikun armen Mesrob II, Papa kërkoi të vazhdohet ecja në rrugën e bashkimit të plotë të të krishterëve.


(30.11.2006 RV) Pas vizitës në Xhami, Ati i Shenjtë u nis drejt Patriarkanës Armene Apostolike të Stambollit, kushtuar Nënës së Zotit. Aty e priste Fortlumturia e Tij Mesrobi II Mytafian i cili, në krye të procesionit, e shoqëroi Papën në katedralen që zë njëmijë vetë, por që sot sikur ishte zgjëruar për t’i bërë vend një numri edhe më të madh besimtarësh.
Në përshëndetjen drejtuar kësaj Kishe të lashtë, kushtuar Shpirtit Shenjt, Benedikti XVI falënderoi Zotin për fenë dhe dëshminë e krishterë të popullit armen, transmetuar nga breznia në brezni, shpesh edhe në rrethana tragjike, si ato të shekullit të kaluar. Më pas theksoi se është pikërisht Shpirti i Zotit burimi i fesë së përbashkët. Prandaj e falënderoi Hyjin për gjithçka ka bërë në historinë e njerëzve dhe iu lut të ndikojë mbi të gjithë dhuratat e Shpirtit të shenjtërisë, duke kujtuar në mënyrë të veçantë se Shpirti Shenjt është burimi kryesor i bashkimit. Më pas Benedikti XVI shprehu keqardhjen për hapat akoma të ngadaltë drejt unitetit dhe kujtoi se 27 vjet më parë, po në këtë Katedrale, Gjon Pali II pati uruar që agimi i mijëvjeçarit të ri ta gjente Kishën e Krishtit të bashkuar, për të dëshmuar kështu më mirë, në mes të tensioneve të botës, dashurinë e mbinatyrshme të Zotit, të shfaqur në Birin e tij, Jezu Krishtin. Kjo dëshirë nuk është realizuar ende, por urimi i Papës është gjithnjë i njëjtë e i shtyn të gjithë nxënësit e Krishtit të shpejtojnë hapat drejt bashkmit, për të mirën e të gjithëve.
“E si të mos e kujtoj – tha Papa - figurën e pëdorur nga Pali VI për Kishën, ndërtesë, gurët e së cilës janë të gjithë të bashkuar, të shtrënguar me njëri-tjetrin, për të formuar një ngrehinë të vetme, guri i themelit, mbi të cilin mbështetet gjithçka, është Krishti, burimi i jetës së re që na është dhuruar nga Ati, në Shpirtin Shenjt”.
Kështu u shpreh Papa dhe në përfundim i ftoi të gjithë të jetojnë sipas porosisë së Krishtit: “Në se e doni njëri-tjerin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi”.
Nesër, më 1 dhjetor, gjithnjë në Stamboll, Papa do të kremtojë Meshën në katedralen e Shpirtit Shenjt, kremtimi i fundit i vizitës së Tij historike katërditore në Turqi; më pas do të shkojë në aeroport, prej nga do të niset në orën 13. 15 për të arritur në aeroportin romak të Çampinos në orën 14. 45.








All the contents on this site are copyrighted ©.