2006-11-30 19:02:21

Liturgjia Hyjnore në Kishën e Shën Gjergjit dhe Deklarata e përbashkët: parashijim i dhuratës së bashkimit të plotë.


(30.11.2006 RV)RealAudioMP3 Përballë botës së krishterë të Lindjes e të Perëndimit, Benedikti XVI dhe Patriku Ekumenik, Bartolomeu I shkëmbejnë përqafimin e paqes duke u lutur për bashkimin e plotë të katolikëve e ortodoksëve. Papa ishte i pranishëm në Liturgjinë Hyjnore në Kishën patriakale të Shën Gjergjit në Stamboll, ku në përfundim të kremtimit, nënshkroi Deklaratën e përbashkët me Patrikun ortodoks.
Një përqafim paqeje, i shkëmbyer përzemërsisht, që e bëri të dukshme “urën” ekumenike aq të dëshiruar ndërmjet Lindjes e Perëndimit: duke kaluar nga fjalët, tek gjestet, Liturgjia Hyjnore e kremtuar sot nga Patriku Ekumenik, Bartolomeu I në Kishën e Shën Gjergjit në Stamboll, në praninë e Benediktit XVI, e theksoi dëshirën e bashkimit, që e dallon rrugën aktuale në të cilën ecin Kisha katolike dhe ajo ortodokse. Posaçërisht prekës çasti në të cilin Papa tha Atynën në gjuhën greke në kremtimin e gjatë e sugjestiv, shoqëruar nga këngët gregoriane të ritit bizantin. Në çastin e fjalimit të tij, Benedikti XVI pohoi se ndasitë ekzistuese ndërmjet të krishterëve janë shkandull për botën dhe ripohoi impenjimin e Kishës në rrugën drejt bashkimit të plotë: impenjim i sanksionuar, rreth orës 12. 30, me nënshkrimin e Deklaratës së përbashkët.
Por, të rikthehemi tek kremtimi i gjatë i paradites së tretë të shtegtimit apostolik, për të cilin na flet, nga Stambolli, i dërguari i Radios sonë, Sergjio Çentofanti:
“Bukuria dhe solemniteti i liturgjisë ortodokse bëjnë të ndjehet fuqimisht misteri hyjnor, përmes pasurisë së shenjave, figurave, dritave, këngëve. Gjithçka të shtyn drejt shenjtërisë, drejt takimit të njeriut me Shpirtin Shenjt. Papa ndjek me vëmendje të madhe Liturgjinë Hyjnore, kryesuar nga Bartolomeu I; ndjen keqardhje që nuk mund ta ndajnë së bashku të njëjtën bukë e të njëjtin kelk. “Ne përkulemi me përvujtëri e pendim – tha Patriku Bartolomeu I – para Zotit tonë Jezu Krishtit, sepse e kemi ndarë më dysh tunikën e Tij të endur një cope”. Por nuk mungon edhe gëzimi i ecjes së bashku në rrugën e dashurisë, si nxënës të Krishtit. E Patriku shpreh gëzimin për praninë e sotme të Papës këtu, në Kishën motër, Kishë me numër të vogël, por me nderim të madh.
Është dashuria vëllazërore – shpjegoi Papa në fjalimin e tij – që e shtyu Pasardhësin e Shën Pjetrit të vijë në Kishën e themeluar nga i vëllai, Andreu, apostulli që u thirr i pari nga Jezusi. Është impenjimi për unitet, që filloi në vitin 1964 nga Papa Pali VI e Atenagora, të cilët shfuqizuan – vijoi të pohonte Papa – mallkimet tragjike të vitit 1054.
Ndasitë ekzituese ndërmjet të krishterëve janë shkandull për botën e pengesë për shpalljen e Ungjillit – pohoi Benedikti XVI. - Në prag të mundimeve e të vdekjes Zoti, i rrethuar nga nxënësit e vet, u lut me gjithë zemër që ata të ishin një, kështu që bota të mund të besonte. Mesazhi i dashurisë së Zotit për çdo burrë e çdo grua mund të bëhet i besueshëm vetëm përmes bashkimit vëllazëror dhe dashurisë së anasjelltë ndërmjet të krishterëve”.
Misioni ungjillëzues – vijoi Benedikti XVI – është urgjent edhe sot, në sa kemi parasysh se edhe troje të krishtera, si ato të Evropës, po i humbasin rrënjët, duke arritur madje deri në mospranimin e tyre. Në rrugën drejt bashkimit me ortodoksët, një rol të veçantë luan shërbimi i Pasardhësit të Shën Pjetrit, apostullit që, megjithë ligështinë personale, u thirr për të qenë shkëmbi mbi të cilin do të ngrihej Kisha:
“Gjon Pali II foli për mëshirën që e karakterizon shërbimin e Pjetrit ndaj unitetit, mëshirë që vetë Shën Pjetri e provoi i pari. Mbi këtë bazë Gjon Pali II ftoi për fillimin e dialogut vëllazëror, me qëllim që të gjindeshin rrugët përmes të cilave do të mund të ushtrohej sot misioni i Papës, pa harruar respektimin e natyrës dhe të thelbit të tij, për të realizuar kështu një shërbim dashurie të njohur nga njëra e nga tjetra palë. Dëshroj sot ta rikujtoj e ta përsëris këtë ftesë”.
Shën Andreut – vijoi të shpjegonte Papa – Zoti i ngarkoi një detyrë të rëndësishme: të nxiste takimin ndërmjet mesazhit të krishterë dhe kulturës helenike. Role të ndryshme, pra, por i njëjti mision: misioni për të dashur deri në fund të fundit. E si Shën Pjetri, ashtu edhe Shën Andreu pësuan mundimet e kryqit. Është bashkimi që i mbledh të krishterët tek këmbët e Kryqit e që e detyron Kishën – nënvizoi Papa - të vijojë shtegtimin e vet ndërmjet persekutimeve të botës e ngushëllimeve të Zotit:
Edhe shekulli i sapokaluar pa dëshmitarë guximtarë të fesë, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Edhe sot ka shumë dëshmitarë të tillë në vise të ndryshme të botës. I kujtojmë në lutje e jemi gati në të gjitha mënyrat t’u japim ndihmën tonë, ndërsa u kërkojmë me këmbëngulje të gjithë udhëheqësve të botës ta respektojnë lirinë fetare si të drejtë themelore të njeriut”.
Në përfundim të Liturgjisë Hyjnore, Papa e Patriku Ekumenik shkuan në ballkonin e pallatit patriarkal, duke bekuar në latinisht e në greqisht besimtarët e pranishëm. Të stuhishme duartrokitjet, të cilave iu përgjigjen duke përshëndetur me duar të bashkuara, të ngritura lart. Pastaj u mbajt ceremonia e nënshkrimit të Deklaratës së përbashkët, në të cilën Benedikti XVI e Bartolomeu I shprehin gëzimin e vëllazërimit dhe përsërisin zotimin për të vijuar rrugën drejt bashkimit të plotë.
Pas përqafimit të Palit VI me Patrikun Ekumenik Atenagoras, në vitin 1964, në faqet e historisë së botës katolike e të asaj ortodokse, u shtua një figurë tjetër harmonie ekumenike.Ndërsa takimet e pasdites, me vizitën e Papës në muzeun e Shën Sofisë dhe në Xhaminë Blu të Stambollit, theksuan më tepër aspektin ndërfetar.







All the contents on this site are copyrighted ©.