2006-11-29 17:02:46

Nga Turqia thirrja e Papës gjatë Meshës Shenjte kremtuar në Efez:
Paqe ndërmjet popujve
Paqe për Tokën e Shenjtë
Paqe për mbarë njerëzimin


(29.11.2006 RV) Nga Efezi, ‘zemër’ Mariane e Turqisë, Benedikti XVI i lartoi Zotit lutjen e paqes për Tokën Shenjte e për mbarë njerëzimin. Papa solli në Efez dashurinë dhe inkurajimin e gjithë Kishës për bashkësinë e vogël katolike të Turqisë: rreth 30 mijë besimtarë, në gjirin e një popullsie prej 70 milion banorësh, 99% myslimanë. Shenjtërorja e vogël e Meryem Ana Eví , dmth e Nënës Mari, ngrihet në një vend mahnitës, që njihet me emrin “Kodra e bilbilit”, mbi detin Egje, në mes të një pylli të blertë që, për fat të keq, sivjet u shkatërrua pjesërisht nga një zjarr i papritur. E çuditërisht zjarri, që era e përhapi në pyll, u ndal pikërisht para shtëpisë ku, sipas një tradite të lashtë, Maria jetoi vitet e fundit të jetës, së bashku me Shën Gjonin Apostull, të cilit ia kishte besuar vetë Krishti. Këtu sot ishin të pranishëm katolikë të riteve të ndryshme: latinë, armenë, kaldej, siro-katolikë. Të gjithë u munduan t’i shprehin Papës dashurinë e tyre të madhe, duke iu afruar sa më pranë, duke brohoritur emrin e tij, duke e përshëndetur me gëzim të jashtzakonshëm. E Benedikti XVI iu përgjigj me të njëjtën dashuri, i takoi me gjithë zemër, u shtrëngoi duart, u bekoi fëmijët:
“Me këtë vizitë desha të bëj që të ndjehet jo vetëm dashuria e afërsia ime shpirtërore, por e mbarë Kishës universale për bashkësinë e krishterë që këtu, në Turqi, është vërtetë e vogël dhe përballon çdo ditë jo pak sfida e vështirësi”.
Gjatë homelisë së Meshës shenjte, Papa kujtoi se këtu, në Efez, në vitin 431 u mbajt Koncili, që shpalli solemnisht amësinë hyjnore të Marisë. E Maria është Nëna e Zotit, që iu besua njerëzimit nga Jezusi prej lartësisë së Kryqit, si Nënë e bashkimit dhe e vëllazërimit të gjinisë njerëzore, vëllazërim për të cilin sot, më shumë se kurrë, ka nevojë bota. Papa i lartoi Zotit një lutje të posaçme për paqen ndërmjet popujve:
“Nga ky cep i gadishullit anatolik, urë natyrore ndërmjet kontinenteve, lutemi për paqe e pajtim posaçërisht për ata që banojnë në Tokën të cilën e quajmë ‘Shenjte’ si ne, të krishterët, ashtu edhe hebrenjtë e myslimanët: është toka e Abrahamit, e Izakut dhe e Jakobit, e paracaktuar të strehojë një popull që do të bëhej bekim për të gjithë popujt. Paqe për mbarë njerëzimin! U realizoftë sa më shpejt profecia e Izaisë: “Do t’i kthejnë shpatat në plorë/ e heshtat në drapinj. Një popull nuk do të ngrejë më shpatën kundër një populli tjetër,/ nuk do të ushtrohen më në artin e luftës!”
Papa kujtoi në vijim, moton e këtij shtegtimi apostolik: “Ai, Krishti, është paqja jonë. Jezusi jo vetëm solli paqen, por është Ai vetë paqja jonë”. Krishti është hir, është forcë që e shndërron njeriun e botën, duke shembur muret që ndajnë, për ta bërë njerëzimin një famije të vetme. Benedikti XVI iu drejtua edhe një herë posaçërisht grigjës së vogël të Krishtit, që jeton në këtë komb, dhe e nxiti të vijojë rrugën e saj me besim, gjithnjë e bashkuar, duke kënduar, së bashku me Marinë, këngën “Magnificat”, që madhëron Zotin
“Ta këndojmë me gëzim, edhe kur kalojmë vështirësi e rreziqe, siç tregon dëshmia e bukur e meshtarit romak, don Andrea Santoro, që më pëlqen ta kujtoj edhe në këtë kremtim. Maria na mëson se burimi i gëzimit tonë dhe mbështetja jonë e vetme është Krishti, e na përsërit fjalët e Tij: “Mos kini frikë”, “Unë jam me ju!”. Ne i besojmë krahut të tij të pushtetshëm. E Ti, Nënë e Kishës, na shoqëro gjithnjë në udhën tonë! Shenjtja Mari, Nëna e Tënzot, lutu për ne! Aziz Meryem Mesih’in Annesi için Dua et”.Po vijojmë me etapën tjetër të shtegtimit, atë të Stambollit, me vlerë të dyfishtë ekumenike dhe ndërfetare, në të cilën pamjet e Efezit u zevendësuan me pamjet e Stambollit. Qyteti i Bosforit ishte sot pasdite teatër i takimit të shumpritur të Benediktit XVI me Patrikun Ekumenik Ortodoks Bartolomeun I. Kujtojmë se në Turqi katolikët kanë të përbashkët me Kishën ortodokse, nevojën që t’u krijohen kushte më të përshtatshme për dëshminë e tyre fetare.







All the contents on this site are copyrighted ©.