2006-11-29 18:39:38

Komisioni Evropian pezullon negociatat me Turqinë për 8 kapituj.


(29.11.06 RV) Komisioni Evropian vendosi sot të pezullojë 8 nga 35 kapitujt e negociatave për integrimin e Turqisë në Bashkimin Evropian. Në deklaratën e Brukselit, lexohet se Komisioni “vëren se Turqia nuk ka zbatuar plotësisht protokollin e Ankarasë” për Bashkimin doganor me 10 shtete e reja anëtare të Bashkimit Evropian, përfshi edhe Qipron. Bëhet e qartë se ekzekutivi evropian nuk do të vazhdojë bisedimet në të gjitha ato fusha që kanë të bëjnë me kufizimet turke ndaj Qipros, derisa Turqia të plotësojë detyrimet e veta. Kapitujt kanë të bëjnë kryesisht me shkëmbimet tregtare dhe ngadalësojnë negociatat. Kryeministri turk Erdoan, të cilin vendimi e gjeti në Rigë, e komentoi atë si të papranueshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.