2006-11-28 18:05:59

Benedikti XVI në Turqi: sintezë e fjalimit në takimin me Trupin Diplomatik.


(28.11.2006 RV)Veprimtaria e fundit e ditës së parë të shtegtimit të pestë apostolik të Papës Benedikti XVI në Turqi, ishte takimi me Trupin Diplomatik, në nunciaturën apostolike. Që në fillim të fjalimit drejtuar përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, Papa kujtoi kushtet që duhen plotësuar për sigurimin e paqes së vërtetë, sepse paqe nuk mund të quhet mungesa e luftës, as drejtpeshimi i qëndrueshëm i forcave kundërshtare. Paqja e vërtetë nuk mund të sigurohet pa drejtësinë, për të korrigjuar kështu pabarazitë ekonomike dhe çrregullimet politike që janë gjithnjë faktorë tensionesh e kërcënimesh në mbarë shoqërinë. Përhapja e terrorizmit nga njëra anë, evolucioni i disa konfliktetve zonale nga ana tjetër, vënë në dukje sa e nevojshme është të respektohen dhe të mbështeten vendimet e institucioneve ndërkombëtare, duke u siguruar mjetet e nevojshme për parandalimin e konflikteve e për ruajtjen e zonave asnjanëse ndërmjet forcave në konflikt, në sajë të përdorimit të forcave ndërmjetësuese.
“I drejtoj përsëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të jetë vigjilente – theksoi Papa - e të bëjë përpjekjet e mundshme për të promovuar dialogun ndërmjet të gjitha palëve në konflikt, sepse kjo është e vetmja rrugë që mund të sigurojë respektin për të tjerët”.
Në shekullin e kaluar – vërejti Benedikti XVI - Turqia hyri në rrugën e shndërrimit në një vend modern, duke zgjedhur regjimin laik e duke e dalluar qartë shoqërinë civile nga feja. U krijoi, kështu, të dyjave, kushtet për të qenë të pavarura në veprimtarinë e tyre, gjithnjë duke respektuar njëra-tjetrën.
Fakti që shumica e popullsisë së këtij vendi është myslimane, përbën një element kuptimplotë, që nuk mund të mos llogaritet nga shteti, por Kushtetuta turke i njeh çdo shtetasi të drejtat për lirinë e kultit dhe për lirinë e ndërgjegjes. E është detyrë e autoriteteve civile të çdo vendi demokratik t’u garantojë të gjithë besimtarëve lirinë efektive dhe t’u krijojë kushte për të organizuar lirisht jetën e bashkësive të tyre fetare.
“Kisha nuk kërkon të ndërhyjë drejtpëdrejtë në jetën politike ose në atë ekonomike – theksoi Papa - por, për shkak të misionit të saj, duke pasur një përvojë të gjatë në historinë e shoqërive e të kulturave, uron t’i dëgjohet zëri që ngrihet gjithnjë për të mbrojtur dinjitetin themelor të njeriut e posaçërisht të njerëzve më të ligshtë e më të pambrojtur”.
Selia e Shenjtë pret nga bashkësia ndërkombëtare të organizohet përsëri e të vendosë rregulla, që krijojnë mundësi për të drejtuar më mirë zhvillimet ekonomike, për të vënë rregull në tregjet e për të nxitur mirëkuptimin ndërmjet vendeve- tha Papa, dhe në përfundim nënvizoi: “Kisha kërkon të bashkëpunojë me besimtarët dhe udhëheqësit e të gjitha feve, posaçërisht me myslimanët, për të mbrojtur e për të promovuar së bashku, për të gjithë njerëzit, drejtësinë shoqërore, vlerat morale, paqen e lirinë. Shpresoj se në këtë përspektivë shtegtimi im në Turqi do të sjellë fryte të begata”.







All the contents on this site are copyrighted ©.