2006-11-27 17:47:26

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot shpreh nderim e miqësi për popullin turk. Reflektimin shpirtëror ia kushton solemnitetit të Krishtit Mbret.


(27.11.2006 RV) Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot Benedikti XVI foli kryesisht për shtegtimin e tij Apostolik në Turqi, ku do të niset nesër. Papa ia besoj këtë shtegtim mbrojtjes së paraardhësve të tij, në ditën kur liturgjia – me solemnitetin e fundit të kohës gjatë vitit kishtar, kushtuar Krishtit Mbret, reflekton për ardhjen e Jezusit në mbarimin e kohëve, ndërsa përgatitet për të kremtuar ardhjen e parë: Krishtlindjen. Rruga për të arritur në Mbretërinë e Zotit – tha Benedikti XVI - bazohet mbi lirinë e njeriut për ta mirëpritur të vërtetën dhe dashurinë e Krishtit, pa kërkuar rrugë të shkurtëra.
Por të kthehemi tek shtegtimi i afërt apostolik i Papës:
“Pas pak orësh, e pikërisht më 28 nëntor, në orën 13. 00 me orën vendase, avioni papnor, sipas programit, do të prekë tokën turke në aeroportin e Ankarasë prandaj, si zakonisht në rrethana të tilla, Benedikti XVI i bëri thirrje Kishës për lutje e afërsi shpirtërore në këtë etapë të rëndësishme të papnisë së tij: etapë kishtare, ekumenike e ndërfetare.
Që tani – tha Papa – dëshiroj t’i drejtoj një përshëndetje të përzemërt popullit turk, të pasur me histori e kulturë; këtij populli e udhëheqësve të tij u shpreh ndjenja nderimi e miqësie të sinqertë. Me emocion të thellë pres të takohem me bashkësinë e vogël katolike, që e kam gjithnjë në zemër, e të takohem vëllazërisht edhe me Kishën ortodokse, me rastin e festës së Shën Andreut Apostull. Plot besim po vihem për udhë në gjurmët e paraardhësve të mi të nderuar, Palit VI dhe Gjon Palit II; e i lutem të më nxjerrë hirin e ndihmës hyjnore - Gjonit XXIII, që gjatë shërbimit dhjetvjeçar si Delegat Apostolik në Turqi e desh dhe e nderoi popullin turk. Juve të gjithëve ju lutem të më shoqëroni me uratë, që ky shtegtim apostolik të sjellë për mbarë Kishën frytet e dëshiruara nga Zoti”.
Para lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI foli për domethënien e të dielës së fundit para Kohës së Ardhjes. Krishti – kujtoi Papa - e zbuloi natyrën e tij të posaçme mbretërore gjatë hetimeve dramatike para Poncit Pilat. Ishte një mbret që kishte ardhur t’i çlironte njerëzit nga skllavëria e mëkatit e t’i pajtonte me Zotin. Ballë për ballë me Pilatin, Krishti pohoi se kishte ardhur në botë “që të japë dëshmi për të vërtetën”. Po për cilën të vërtetë ? – pyeti Benedikti XVI:
Gjithë jeta e tij zbulon se Zoti është dashuri: kjo, është pra, e vërteta, për të cilën ai bëri një dëshmi të plotë me flijimin e vetë jetës mbi Kalvar. Kryqi është ‘froni’ nga i cili e dëshmoi mbretërinë më të lartë të Zotit Dashuri: duke u fljiuar për faljen e mëkateve të botës, Ai e mposhti sundimin e ‘princit të kësaj bote’ dhe ndërtoi përfundimisht Mbretërinë e Hyjit”.
E në se jeta e Jezusit është dashuri, rruga nëpër të cilën duhet të ecë i krishteri nuk mund të mos jetë e njëjtë:
Rruga për të arritur në këtë cak është e gjatë e nuk pranon t’i biesh për shkurt: duhet që çdo njeri ta pranojë lirisht të vërtetën e dashurisë së Zotit. Ai është Dashuri e Vërtetësi; as dashuria e as vërtetësia nuk mund të imponohen kurrë: trokasin në portën e zemrës e të mendjes e, atje ku mund të hyjnë, çojnë paqen e gëzimin. Kështu di të mbretërojë Zoti; ky është plani i tij i shëlbimit, një ‘mister’ në kuptimin biblik të fjalës, dmth plan që zbulohet pak nga pak në histori”.
Pas përshëndetjeve në pesë gjuhë, Benedikti XVI foli kryesisht për dy kremtime të rëndësishme: Ditën italiane kushtuar kërkimeve shkencore për sëmundjen e kancerit dhe Ditën botërore kundër SIDËS, që do të kremtohet më 1 dhjetorin e ardhshëm:
“Uroj nga zemra – theksoi Papa - që një kremtim i tillë të favorizojë rritjen e përgjegjësisë në mjekimin e sëmundjes, së bashku me impenjimin për shmangien e çdo diskriminimi ndaj atyre që janë prekur prej saj. Ndërsa i lutem Zotit t’i ngushëllojë të sëmurët dhe familjet e tyre, inkurajoj nismat e shumta të Kishës në këtë fushë”. 







All the contents on this site are copyrighted ©.