2006-11-27 17:47:15

Konfirmohet zyrtarisht vizita e Papës në Xhaminë Blu të Stambollit dhe takimi me kryeministrin Erdoan.


(27.11.2006 RV)Pas pak orësh, Ati i Shenjtë do të niset për shtegtimin apostolik në Turqi, gjatë të cilit, ndëmjet tjerash, do të vizitojë edhe Xhaminë Blu të Stambollit, ndërsa bashkësia e vogël katolike e pret me emocion të thellë e padurim takimin me Bariun universal.
Gjatë katër ditëve të shtegtimit apostolik, përveç bashkësisë së vogël katolike, Papa do të takohet edhe me autoritetet turke, me Patrikun ekumenik, Bartolomeun I,me Patrikun apostolik armen, Mesrob II, Metropolitin siro-ortodoks dhe me Rabinin e madh të Turqisë. Në mbrëmjen e ditës së parë - takimi dhe darka me anëtarët e Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Turqisë.
Ndërkaq drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, Atë Federiko Lombardi, konfirmoi se vizita e Benediktit XVI në xhaminë e Stambollit është përfshirë zyrtarisht në programin e shtegtimit apostolik, menjëherë pas vizitës në muzeun e bazilikës së lashtë të Shën Sofisë, kthyer më pas në xhami e sot në muze, kushtuar Dijes Hyjnore. Kjo vizitë është një shenjë tjetër, që shpreh qartë vëmendjen dhe nderimin për besimtarët e Islamit, por jo më pak thekson edhe rëndësinë e shtegtimit të Benediktit XVI në një vend ku 99% e popullsisë është myslimane.
Kujtojmë se Xhamia Blu që do të vizitojë Papa, quhet kështu sepse muret e saj janë të veshura me majolika të pikturuara me motive floreale, në të cilat sundon ngjyra blu. Xhamia Blu, e ndërtuar pranë Kishës së Shën Sofisë nga sulltani Ahmeti I në vitin 1600, është një kryevepër elegance e harmonie. Ka gjashtë minare e ia kalon vetëm xhamia e Mekës, me shtatë minare.
Në prag të shtegtimit apostolik të Atit të Shenjtë në Turqi, Kardinali Bertone, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së tij – gjatë një interviste dhënë Ditarit të lajmeve të Programit të dytë të TV italian (transmetuar më 26 nëntor), uroi që Turqia t’i plotësojë kushtet e caktuara nga Bashkësia Evropiane, për të hyrë e për t’u integruar në këtë Bashkësi. Gjatë intervistës, Kardinali kujtoi se Selia e Shenjtë nuk është kompetente në temën e hyrjes së Turqisë në Bashkimin Evropian, por shpjegoi se uron që kjo të arrihet, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një vend të madh mysliman, që përpiqet historikisht të realizojë konceptin e laicitetit të shëndoshë të shtetit. Nga ana tjetër – tha në përfundim kardinali Bertone - ne urojmë që ky evolucion i vendit të madh islamik, i cili ka hyrë rrugën e demokracisë dhe dëshiron të zbatojë një regjim demokratik, të ecë përpara e të arrijë në cakun e dëshiruar.
Por Turqia duket se nuk do t’i plotësojë shpejt kërkesat e Bashkimit Evropian. Sot paradite, presidenca finlandeze e turnit deklaroi se janë pezulluar bisedimet me Turqinë përsa i përket çështjes së Qipros. Pas takimit me ministrin e jashtëm turk dhe atë qipriot, Ministri i jashtëm finlandez saktësoi se nuk ka asnjë marrëveshje për hapjen e porteve turke ndaj mallrave qipriote, por gjithsesi Turqia mbetet kandidate për integrimin evropian. Ka mundësi që Brukseli të ndërpresë përkohësisht një pjesë ose krejt negociatat e integrimit me Ankaranë. Komisioni Evropian duhet të vendosë për këtë më 6 dhjetor, datë në të cilën do të formulojë edhe rekomandimet e tij për Këshillin e përgjithshëm më 11 dhjetor, i cili do të përgatisë mbledhjen e krerëve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian, më 14 e 15 dhjetor. E reja e orëve të fundit që e ndajnë Papën nga nisja, është se kur të arrijë në areoportin e Ankarasë, për ta pritur do të dalë edhe kryeministri Taip Erdoan. Takimi i Atit të Shenjtë me kryeministrin u konfirmua dje nga drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Lombardi. Më pas Papa do të shkojë për vizitë në muzeun e Ataturkut, Atë i Atdheut, që shpalli Republikën turke në vitin 1923. Atje Ati i Shenjtë do të vërë firmën në librin e artë të vizituesve, duke e shoqëruar me një frazë, që do të jetë përshëndetja e parë drejtuar vendit. Më pas do të zhvillohet ceremonia e mirëseardhjes dhe vizita tek presidenti i Republikës, Ahmet Nexhdet Sezer; takimi me zevendës-kryeministrin e me kryetarin për çështjet fetare, Ali Bardokolu së bashku me Myftiun e Madh të Ankarasë dhe të Stambollit në selinë e “Dijanetit”, organizëm që drejton e koordinon veprimtaritë e të gjitha xhamive të Turqisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.