2006-11-25 16:01:51

Pasnesër fillon shtegtimi i Benediktit XVI në Turqi.


(26.11.2006 RV)RealAudioMP3 Është shtegtimi i pestë apostolik ndërkombëtar i Benediktit XVI. Tri janë përmasat kryesore të kësaj vizite, siç shkruan në paraqitjen e Mesharit kryeipeshkvi Piero Marini, mjeshtër i kremtimeve liturgjike papnore: përmasa baritore, dmth takimi i Papës me grigjën e vogël katolike për ta përforcuar në fe, në një çast kur vërehen forma të reja intolerance fetare; përmasa ekumenike, dmth përqafimi me Patrikun e Kostantinopojës, Bartoleomeun I për të ripohuar përparësinë që ka ekumenizmi për këtë papni e, së fundi, përmasa ndërfetare nën shenjën e dialogut, për kapërcimin e kundërvënieve që janë vërejtur në shekuj ndërmjet hebrenjve, të krishterëve e myslimanëve.
Imzot Marini kujton se nga këto troje filloi shtegtimi i madh i fesë: Abrahami la Harranin, një fshat në Turqinë e sotme, duke i besuar plotësisht premtimeve të Zotit e u nis, pa e ditur se ku po shkonte. Por duhet kujtuar edhe se Azia e vogël, që përkon pak a shumë me Turqinë e sotme, qe edhe toka e parë e misionit për bashkësinë e krishterë. I nisur nga Jeruzalemi, Shën Barnaba shkoi në Tars në Cilici, duke marrë me vete Shën Palin, për të formuar, në Antioki, Kishën e parë të kësaj zone: këtu nxënësit e Krishtit u quajtën për herë të parë të krishterë. Shën Pali është ungjillëzuesi i madh i këtyre trojeve. Por lajmin e gëzueshëm të Ungjillit në këto vise e sollën edhe Shën Pjetri, Shën Andreu e Shën Gjoni. Sipas traditës, Virgjëra Mari i kaloi ditët e fundit të jetës në Efez, pranë Shën Gjonit, e pikërisht prej këtu u ngjit në qiell.
Veprat e Apostujve, Letra e Parë e Shën Pjetrit, Letrat e Shën Palit drejtuar Efezianëve, Kolosianëve, Galatëve e Timoteut si dhe letra drejtuar shtatë kishave të Azisë në Apokalipsin e Shën Gjonit, përshkruajnë jetën e vështirë të këtyre bashkësive të krishtera jashtë Tokës Shenjte: atyre u duhet të mbijetojnë në mes të kulteve pagane, persekutimeve të rënda dhe herezive, që nisin të duken që në lindjen e Kishës. Të gjithë ata që duan të jetojnë plotësisht në Krishtin Jezus, do të persekutohen – i shkruan Shën Pali Timoteut që jeton në Efez – por ti – vijon Apostulli - mbahu e kumtoje fjalën në çaste të përshtatshme e të papërshtatshme. Shën Pali përdor shpesh një term: “parresia”, që do të thotë të flasësh me guximin e bijve të Zotit, t’ia thuash ndër sy të vërtetën të afërmit, sepse edhe në se ty të lidhin me zinxhirë, fjalën e Zotit nuk mund ta mbërthejnë kurrë ndër pranga.
Shën Pali nuk ka më frikë, që kur Jezusi ia revolucionarizoi jetën në rrugën e Damaskut. “U kryqëzova me Krishtin – shkuan ai - e nuk jam më unë që jetoj, por Krishti që jeton në mua”. Edhe Shën Pjetri u jep zemër besimtarëve të këtyre trojeve, të tronditur nga persekutimet, shpifjet, talljet, padrejtësitë. I nxit të jetojnë si njerëz të lirë e të sillen në mënyrë shembullore përballë paganëve, pa ua kthyer të keqen me të keqe, të gatshëm për t’iu përgjigjur çdo njeriu që do të kërkonte prej tyre arsyen e shpresës që i mbushte plot me gëzim në këto rrethana të padurueshme.
Përballë persekutimeve, Shën Gjoni i ftonte bashkësitë e Azisë ta mundin urrejtjen me dashuri, sepse ‘Zoti është Dashuri’.
Ndërkaq, që në agimet e krishterimit, shtoheshin mësuesët e rremë që përhapnin herezitë e para. Shën Pali u shkruante Kolosianëve dhe Efezianëve, të ruheshin, të mos gënjeheshin e të mos shkonin nga fryn era e doktrinave të gabuara, që nuk kishin të bënin me Krishtin. Përballë persekutimeve dhe herezive, Shën Gjoni inkurajonte bashkësitë e krishtera të këtyre trojeve e u jepte zemër me fjalët e vetë Krishtit: “Edhe pse nuk je i fortë, ti i besove fjalës sime e nuk e mohove emrin tim. Do të vij shpejt. Fitimtarin do ta vë si shtyllë në tempullin e Zotit tim e nuk do të dalë kurrë më prej aty”.
Po rikujtojmë shkurtimisht programin e shtegtimit të Atit të Shenjtë:
Papa do të niset më 28 nëntor, në orën 9-të nga aeroporti romak i Fiumiçinos, për të arritur në orën 13. 00 në aeroportin ndërkombëtar Esemboga të Ankarasë. Etapa e parë – vizita në muzeun e Ataturkut, ceremonia e mirëseardhjes, vizita tek presidenti i Republikës dhe takimi me zevendës-kryeministrin e me kryetarin për çështjet fetare, në selinë e këtij të fundit, ku Papa do të mbajë një fjalim. Gjithnjë në Ankara, në nunciaturën apostolike, Benedikti XVI do të takohet me Trupin diplomatik.
Paraditen e 29 nëntorit Ati i Shenjtë do të niset për në Smirnë: që këtu do të shkojë në Efez, ku do të kremtojë Meshën shenjte.
Pasdite do të riniset për në Stamboll, ku do të mbahet vizita e lutjes në Kishën patriarkale të Shën Gjergjit si dhe takimi privat me Patrikun ekumenik të Kostantinopojës, Bartolomeun I.
Paraditen e së enjtes, 30 nëntor, në Stamboll, Papa do të marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore në Kishën patriarkale të Shën Gjergjit: këtu do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të një Deklarate të përbashkët. Benedikti XVI do të drekojë me Bartolomeun I pranë patriarkanës. Pasdite do të vizitojë muzeun e Shën Sofisë; më pas do të shkojë për një vizitë lutjeje në katedralen armene apostolike, ku do të takohet me Patrikun Mesrob II. Pranë përfaqësisë papnore, Ati i Shenjtë do të takohet me Metropolitin siro-ortodoks dhe me Rabinin e madh të Turqisë. Në mbrëmje-takimi dhe darka me anëtarët e Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Turqisë. Paraditen e së premtes, 1 dhjetor, gjithnjë në Stamboll, Papa do të kremtojë Meshën në katedralen e Shpirtit Shenjt, për të shkuar më pas në aeroport, prej nga do të niset në orën 13. 15 për të arritur në aeroportin romak të Çampinos në orën 14. 45.







All the contents on this site are copyrighted ©.