2006-11-24 18:59:13

Hakëmarrje e shiitëve ndaj masakrës së djeshme me 202 viktima në Bagdad.


(24.11.06 RV)RealAudioMP3 Ndoshta për një lojë termash, apo për leverdi politike, konflikti i Irakut nuk quhet nga gazetarët dhe politikanët “luftë civile”, por një ditë pas masakrës së Bagdadit, e cila shënon numrin më të madh të viktimave, që nga hyrja e amerikanëve në vend, nuk vonon përgjigjia e shiitëve kundër një lagjeje sunite të Bagdadit.
Sot paradite në kryeqytet mbretëronte shtetrrethimi, ndërsa pasdite lagjia Hyrrijah, lagjia sunite e Bagdadit u sulmua nga një grup shiitësh. Në betejën e pakontrolluar nga ushtria, që nuk mundi të hyjë në zonë, u vranë mëse 30 vetë e shumë të tjerë u plagosën, por akoma nuk mund të flitet për bilanc. Katër xhamive dhe banesave të tjera në lagje u është vënë zjarri. Duket se ky sulm është përgjigja ndaj masakrave të djeshme që shkaktuan 202 viktima. Por edhe bilanci i kësaj gjakderdhjeje është akoma i përkohshëm, sepse ndër 256 të plagosurit, disa janë në gjendje të dëshpëruar. Gjithashtu, në spitalet e qytetit gjenden trupa të karbonizuar, të cilën nuk mund të njihen tashmë nga të afërmit.
Po sot paradite u sulmua zyra e Moktada al Sadrit në Bakuba, e cila u dogj dhe u bombardua. Në veri, në Tal Afar, në dy atentate u vranë 22 persona dhe u plagosën 26 të tjerë, të gjithë civilë, si për të dëshmuar se civilët janë viktimat e preferuara të luftës.
Tensionet e vendit reflektohen edhe në klimën politike. Grupi i Sadrit kërcënon se do të largohet nga qeveria e bashkimit kombëtar, nëse kryeministri al Maliki do të takojë më 29 nëntor, presidentin amerikan Xhorxh Bush në Jordani. E duket se nuk vlen thirrja e Bashkimit Evropian, drejtuar të gjithë krerëve politikë, fetarë dhe fisnorë, që t’u kërkojnë përkrahësve të evitojnë hakmarrjen. Në një notë të komisares për marrëdhëniet me jashtë, Benita Ferrero-Valdner, Komisioni Evropian dënon masakrën e djeshme dhe nënvizon se “dhuna sjell vetëm dhunë e se ata që kryejnë këto sulme nuk po fitojnë asgjë tjetër për vete apo popullin, përveç mjerimit”.
Para se të kthehej për në Irak, Naval, një anëtare e një organizate të krishterë, të cilën s’po e përmendim me emrin e plotë, për arësye që mund të merren me mend, na tha kështu për shkaqet e dhunës:
Nganjëherë vriten personat e nuk mendohet përse janë vrarë. Për shembull, një person që shet akull në rrugë, përse vritet? Dikush thotë se meqë në kohën e Muhametit nuk kishte akull, pse të shitet akulli? Pjesa shiite është shtypur për 30 vjet, gjatë diktaturës, e tani do të hakmerret. Shpesh ka hakmarrje ndërmjet familjeve.
Si mund të jetojnë njerëzit në këtë gjendje?
Mundohen të jetojnë me shpresën e së nesërmes, mundohen t’i përballojnë situatat me guxim e shpirt aventure, duke shpresuar që Zoti të na mbrojë. Si të krishterë, po e njëjta gjë. Por shumë lënë gjithçka e ikin. Mesha e kishat e hapura na jepnin shumë guxim, por në një zonë të Bagdadit tani famullitë janë mbyllur. Prandaj të krishterët ndihen të braktisur.
Ti pse po kthehesh prapë në Irak?
Unë nuk jam heroinë. Shpesh njeriu pyet veten, pse Jezusi vdiq në kryq? Nuk mund të vdiste në një mënyrë tjetër? Unë shkoj ta ndaj situatën me të tjerët, për t’u thënë: “Unë jetoj me ju. Ta duam këtë dhimbje sëbashku. Të lutemi së bashku”. Mendoj se Zoti do ta shohë mjerimin tonë, do ta shohë edhe fenë tonë e do të ketë mëshirë për ne.







All the contents on this site are copyrighted ©.