2006-11-23 17:08:27

Takim historik e vëllazëror i Papës Benedikti XVI me Primatin anglikan, kryeipeshkvin e Kanterbërit, Uilliams, të cilët nënshkruan një Deklaratë të përbashkët sot në Vatikan.


(23.11.2006 RV)RealAudioMP3 Në takimin e sotëm me kryeipeshkvin Uiljams, Benedikti XVI foli fjalë falënderimi për gjithçka pozitive që është jetuar gjatë 40-vjetëve, që nga takimi i Palit VI me kryeipeshkvin Ramsej, i cili shënoi rifillimin e dialogut të ndërprerë prej shekujsh. E pastaj iu kushtua vëmendje e veçantë zhvillimeve të fundit dhe rrugëve të reja që mund të bëjë Bashkësia anglikane në të ardhmen e afërt, me vetëdijen se shumë ndikime negative e presione rëndojnë mbi të krishterët dhe mbi bashkësitë e krishtera, posaçërisht në botën e shekullarizuar perëndimore.
Benedikti XVI uroi të arrihet bashkimi i plotë e i dukshëm dhe nënvizoi se duhet falënderuar Zoti për hapat e bëra, duke kujtuar marrëdhëniet miqësore ndërmjet anglikanëve e katolikëve në shumë vende, gjë që ka krijuar rrethana të reja bashkëpunimi. E Papa më pas foli edhe për vështirësitë:
“OVER THE LAST THREE YERS YOU HAVE SPOKEN OPENLY…”
“Në tre vitet e fundit – deklaroi Ati i Shenjtë – është folur haptazi për tensionet dhe vështirësitë në mjediset e Bashkimit anglikan. Më pas kujtoi zhvillimet e kohëve të fundit, posaçërish lidhur me ministerin ipeshkvnor dhe disa mësime morale që – pohoi Papa – prekin marrëdhëniet e brëndshme të botës anglikane, por edhe marrëdhëniet me Kishën katolike.
Papa nënvizoi se rrugët që do të zgjedhë Bashkësia anglikane, do të kenë rëndësi jetike për çështjet e brëndshme që po diskutohen aktualisht e sidomos, për predikimin e plotë të Ungjillit.
“YOUR CURRENT DISCUSSIONS WILL SHAPE THE FUTURE OF OUR RELATIONS…”
Më pas shtoi se do t’i japin formën edhe ardhmërisë së marrëdhënieve me katolikët. Në përfundim, ftesa për vijimin e dialogut, me vetëdijen se bota ka nevojë për dëshminë e përbashkët e për forcën që buron nga shpallja pa përçarje e Ungjillit.
Përsa i përket fjalimit të Primatit, theksojmë sidomos pohimin:
“ONLY A FIRM FOUNDATION OF FRIENDSHIP IN CHRIST WILL ENABLE US…”
Vetëm një bazë e sigurtë miqësie do të na krijojë kushte për të qenë të ndershëm me njëri-tjetrin përsa i përket vështirësive – pohoi Primati anglikan - i cili në vijim falënderoi Selinë e Shën Pjetrit për organizimin e këtij takimi dhe kujtoi një hollësi domethënëse: “Unaza që mbaj në gisht – pohoi Primati anglikan – është ajo që Pali VI I pati dorëzuar kryeipeshkvit Ramsej, ndërsa Kryqi, ai që më dhuroi Gjon Pali II. Janë dy simbole që flasin qartë për impenjimin e punës së përbashkët në rrugën e bashkimit të gjithë të krishterëve. Primati nënvizoi edhe se ka ardhur me shpirt vëllazëror e kujtoi se është prekur thellësisht nga fjalët e Benediktit XVI në fillim të papnisë lidhur me rëndësinë ekumenizmit.
Më pas u nënshkrua Deklarata e përbashkët, në të cilën kujtohet takimi historik i Palit VI me kryeipeshkvin Majkëll Ramsej e më pas pohohet se ka shumë zona dëshmie e shërbimi në të cilat katolikët e anglikanët mund të punojnë gjithnjë më të bashkuar, si impenjimi për Tokën Shenjte e kundër kërcënimit të terrorizmit. Ekumenizmi i vërtetë – lexohet në Deklaratë - i kapërcen kufijtë e dialogut teologjik: përshkon jetët shpirtërore dhe dëshminë e përbashkët. Jemi të vëtëdijshëm – lexohet në përfundim të Deklaratës - se bashkimi aktual është real, por jo i përkryer.
Gjatë 40-vjetëve dialogu ekumenik ndërmjet katolikëve e anglikanëve ka pasur zhvillime pozitive, por ka hasur edhe vështirësi të reja. Ndokush ka folur edhe për një farë krize të këtij dialogu. Për këtë intervistuam vetë Primatin anglikan, Rouan Uiljams, në mikrofonin e Radios sonë:
Përgjigje: - Nuk mund të them se është krizë. Them - ashtu siç ka thënë ndonjë herë kardinali Murfi O’Konorr – se është realizuar një lloj platforme. E kalova paraditen duke menduar për të ardhmen e dialogut tonë. Sqaruam sa më mirë që mundem se nuk ekziston asnjë lloj ndërprerjeje e procesit të dialogut e se shpresat nuk janë zbehur. Prandaj nuk besoj se mund të flitet për krizë; jemi përballë sfidave, por më duket se po ecim përpara në dialog me entuziazëm të madh.
Pyetje: - E megjithatë, shumë njerëz kanë përshtypjen se entuziazmi i madh, i lindur menjëherë pas Koncilit II të Vatikanit, mungon disi në marrëdhëniet aktuale. Si mund të rifitohet kjo frymë pozitive?
Përgjigje: - Mendoj se në gjurmët e Koncilit, shpresat e para kanë qenë ndoshta tepër të mëdha: është shpresuar për bashkimin e dukshëm gjatë jetës sonë, gjë që ndoshta nuk do të realizohet. Mendoj, prandaj, për entuziazmin që duhet të rifitojmë në dy fusha: së pari, në ekumenizmin themelor, dmth në gjetjen e identitetit të përbashkët përballë kulturës së shekullarizuar që na rrethon; e së dyti,në përpjekjen për të kuptuar më thellë ç’mund të bëjmë praktikisht për t’iu përgjigjur nevojave të botës, si mund t’i shfrytëzojmë burimet tona për të përballuar krizën e njerëzimit në ditët tona. E kjo mjafton për ta rifituar entuziazmin!
Pyetje: - Duke menduar për pengesat që ekzistojnë në këtë dialog, kujtojmë njërën, brënda Kishës anglikane, e pikërisht shugurimin ipeshkvnor të grave: në fillim të këtij viti kardinali Kasper ka thënë se një vendim i tillë do të krijonte një pengesë të pakapërcyeshme në kërkimin e bashkimit të plotë,…Përgjigje: - E njohim këtë pengesë dhe e konsiderojmë shumë serioze. Njëkohësisht, në Kishën e Anglisë po vijojmë një proces reflektimi teologjik me afate të gjata mbi këtë argument. Pra, ka rëndësi të vijojmë reflektimin. E pastaj çfarëdo vendimi të merret, e mendoj se kardinali Kasper do të jetë dakord - ne e kemi një gjuhë të përbashkët, me të cilën mund të diskutojmë, gjuhë e cila bazohet mbi marrëveshjet që tashmë janë realitet.







All the contents on this site are copyrighted ©.