2006-11-23 17:27:12

Pozita dhe opozita punojnë për caktimin e datës së zgjedhjeve në Shqipëri.


(23.11.06 RV) Akoma nuk është caktuar një datë për zgjedhjet lokale në Shqipëri, pavarësisht se presidenti Alfred Moisiu ka bërë të ditur se mund të jenë nga java e tretë e janarit. Politika shqiptare akoma nuk është gati, ekzistojnë probleme teknike akoma të pazgjidhura, por edhe këtu si në çdo gjë, pozicionet e kundërta ashpërsohen. Partia Socialiste kërkon shtyrjen e zgjedhjeve vendore derisa të zgjidhjet çështja e statusit përfundimtar të Kosovës. Sipas sekretarit të saj të përgjithshëm, Pandeli Majko diskutimi i çështjes kosovare “nuk duhet ta gjejë Shqipërinë në një situatë të koklavitur politike, pa një reformë zgjedhore, me zgjedhje të diskutueshme që në fillim”. Shumica parlamentare këmbëngul në zbatimin e afateve kushtetuese. Sipas Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, zgjedhjet vendore duhet të mbahen në harkun kohor 20 dhjetor i këtij viti - 20 janar i vitit të ardhshëm. Megjithatë, koalicioni i djathtë është i gatshëm të diskutojë amendamentet e opozitës, për të dalë me një datë të përbashkët për zgjedhjet.

Zyrtarë të lartë të ekonomisë dhe ekspertë nga 18 vende të Evropës Qendrore dhe jugperëndimore janë mbledhur sot në Tiranë në samitin për bashkëpunimin rajonal dhe ngritjen e linjave të reja të biznesit. Në qendër të vëmendjes, reformat dhe investimet për zhvillimin e biznesit, sidomos në infrastrukturë. Takimi do të zgjasë dy ditë dhe ndahet në tri pjesë: forumi i biznesit, tryeza e rrumbullakët e ministrave të ekonomisë dhe mbledhja e kryeministrave të vendeve të nismës së Evropës qendrore, që do të zhvillohet nesër.








All the contents on this site are copyrighted ©.