2006-11-23 17:22:37

Mëse 144 të vdekur në Irak, ndërsa në politikën për Lindjen e Mesme përfshihet Siria dhe Irani.


(23.11.06 RV)RealAudioMP3 Flitet për 144 të vdekur e shumë të plagosur, ndoshta 200, në bilancin e përkohshëm të 3 shpërthimeve në Sadr Siti, lagjia shiite e Bagdadit. Atentatet janë akti i fundit i një shkallëzimi të jashtëzakonshëm dhune. Sot paradite milicë kanë sulmuar Ministrinë e Shëndetësisë e gjithnjë në Bagdad, forcat amerikane kanë vrarë 4 civilë irakianë gjatë një operacioni për të liruar një ushtar amerikan marrë peng.


Politika e Lindjes së Mesme dhe ajo e bashkësisë ndërkombëtare lëvizin sëbashku për të ndërruar pamjen e rajonit, të martirizuar nga luftra e konflikte pa fund.
Pas një jave, në Aman të Jordanisë do të jetë i pranishëm lideri i Autoritetit Palestinez Abu Mazen, i cili do të takohet me mbretin Abdallah II në të njëjtën ditë, 29 nëntor, në të cilën do të vijë në kryeqytetin hashemit për një vizitë dy-ditore presidenti amerikan Xhorxh Bush. Pikërisht të mërkurën, ai duhet të takojë kryeministrin irakian Nuri Al-Maliki. Mbreti Abdallah do t’i takojë veç e veç presidentin amerikan dhe kryeministrin irakian, por nuk specifikohet nëse Bush do të takohet edhe me palestinezin Abu Mazen.
Ndërkaq, në fund të kësaj jave, në Teheran takohen presidenti i Irakut, kurdi Talabani dhe ai i Iranit, Ahmadinexhad. Zëra, që u përgënjeshtruan zyrtarisht, thonë se mund të jetë i pranishëm edhe kreu sirian Bashar Al-Asad për një mbledhje treshe, që ndodh për herë të parë. Do të ishte një provë tjetër, që tregon se po zhvillohet një punë e ndërlikuar diplomatike, për të gjetur një zgjidhje që të garantojë stabilitetin në Lindjen e Mesme, zgjidhje ku përfshihet Siria dhe Irani.
Nga ana tjetër, manovra për Lindjen e Mesme, menduar nga Franca, Italia dhe Spanja duhet të flasë me gjuhën e Bashkimit Evropian. E sqaroi argumentin komisarja për marrëdhëniet me jashtë, Benita Ferrero-Valdner, e cila ndodhet sot në Romë. Ajo përsëriti ç’ka pretendon Komisioni Evropian nga palestinezët. Së pari, formimin e qeverisë së bashkimit kombëtar, pastaj, fundin e dhunës e njohjen e shtetit të Izraelit. “Jemi të gatshëm që të diskutojmë mbi formën – theksoi ajo – por jo mbi përmbajtjen”.


Agjensia ndërkombëtare për Energjinë Atomike refuzoi kërkesën e Iranit për asistencë në ndërtimin e një reaktori bërthamor në Arak, meqenëse dyshohet se ai nuk do të përdoret për qëllime civile. Gjithsesi, ministri i jashtëm iranian ka deklaruar sot se Irani do të ecë përpara edhe pa ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.