2006-11-23 17:19:19

Me mijëra e mijëra në Bejrut për funeralin e ministrit Gemayel, vra të martën. Në një mesazh, Papa kërkon “solidaritetin e të gjithë libanezëve”.


(23.11.06 RV) Me dhjetra mijëra libanezë ishin mbledhur sot në Bejrut të Libanit, për t’i dhënë lamtumirën e fundit ministrit të krishterë Pierr Xhemajel, i cili u vra në atentat dy ditë më parë. Funerali i tij, i kremtuar në katedralen e shën Gjergjit nga patriku i Kishës katoliko-maronite libaneze, Nasrallah Sfir, u kthye në një protestë kundër Sirisë dhe aleatëve të saj hezbollah. Edhe Papa Benedikti XVI dënoi si dje, ashtu edhe sot vrasjen, duke e quajtur “akt i shëmtuar” në mesazhin, që u lexua gjatë funeralit. “Ne të gjithë – shkruan Papa – jemi të prekur thellë nga ky akt i shëmtuar e unë lus Zotin që ta pranojë në mbretërinë e vet atë që u impenjua në jetën e tij publike në shërbim të vendit e të vëllezërve të vet libanezë”. E më pas, vazhdon: “unë do të doja që të gjithë libanezët të jenë veçanërisht solidarë në këtë rast e që sot e tutje të impenjohen për ndërtimin e një Libani autonom e gjithnjë e më vëllazëror, duke u përpjekur të sigurojnë pjesëmarrjen aktive të të gjitha komponenteve të shoqërisë e të kombit”.
Myslimanët sunitë, druzët dhe liderët e krishterë akuzojnë Sirinë se ka armatosur dorën e vrasësit të njërit prej pinjojve më në zë të familjeve të njohura maronite të vendit, pavarësisht se Damasku e ka dënuar vrasjen dhe ka deklaruar se nuk ka gisht në të. Mbetet fakti që ministri Xhemajel, 34 vjeçar, është i gjashti ndër figurat anti-siriane që janë vrarë brenda dy vjetësh në Liban. Parrullat që mbanin në duar pjesëmarrësit e protestës imponente, i kërkonin presidentit aktual pro-sirian Emil Lahud të japë dorëheqjen e Sirisë të heqë dorë nga Libani: “Agjentë të Basharit, jashtë nga Baabda (pallati presidencial)”, apo “Shihemi në gjyq” e të tjera.
Pikërisht personaliteteve të tjera të vrara gjatë këtyre dy vjetëve iu referua kardinali maronit Sfir, kur pohoi se “vala e krimeve vazhdon të destabilizojë Libanin”. Por edhe “libanezët duhet të qëndrojnë jashtë rivaliteteve” qe ftesa e tij për të ardhmen.
Megjithatë, që sot pasdite, antisirianë sunitë të udhëhequr nga i biri i ish-kryeministrit të vrarë Hariri u ndeshën me përkrahës shiitë të hezbollahëve jo shumë larg sheshit të Martirëve në Bejrut, ku u mbajt manifestimi për ministrin Xhemajel. Para se të ndërhynin mjetet e blinduara të policisë, pati disa të plagosur.







All the contents on this site are copyrighted ©.