2006-11-23 17:09:23

Duke shfletuar kalendarin e 23 nëntorit, përkujtojmë papët Shën Klementi I romak dhe Klementi XI shqiptar.


(23.11.2006 RV)RealAudioMP3 Bazilika e Shën Klementit është një nga vendet më të vizituara në Romë. E ngritur në shekullin IV në Çelio, mbi rrënojat e një ndërtese më të lashtë dhe e rindërtuar disa herë, Kisha ka tri navata, në njërën nga të cilat qenë varrosur reliket e Shën Klementit I, të mbartura në Romë nga Krimeja në vitin 868 nga shenjtorët Qirilli e Metodi. Sipas gojëdhënës, Klementi I u mbyt në Krime, vend ku ishte internuar nga Nerva, me një spirancë të varur në qafë
Në Bazilikën e Shenjtit mund të shijohen akoma afresket e realizuara në vitin 1084, kushtuar jetës së Papës, të pajisura me shpjegime, që janë dokumentet e para të gjuhës vulgare italiane. Për Papën Klementi I romak, por me origjinë hebraike, flasin shumë autorë të lashtë. Prej tyre mësojmë se pasi themeloi e përforcoi Kishën e Romës, Shën Pjetri u martirizua e vendin e tij e zuri Lini. Pas Linit u zgjodh papë Anakleti. Pas tij, episkopati i Romës iu besua Klementit, i cili u bë kështu ipeshkvi i katërt i Qytetit të Amshuar, pas Shën Pjetrit. Ai kishte njohur apostujt, kishte kumtuar së bashku me ta Ungjillin e e kishte ende ndër veshë jehonën e predikimeve të tyre, të cilën ia përcolli pasardhësve që u ulën pas tij në fronin e Shën Pjetrit.
Një nga këta pasardhës qe Gjon Françesk Albani, papa me origjinë shqiptare Klementi XI, që do ulej në fronin e Shën Pjetrit më 23 nëntor, 306 vjet më parë.
Gjon Françesk Albani, siç u thirr në Pagëzim, lindi më 23 korrik 1649 në Urbino të Italisë, kreu shkollimin e plotë në Romë e, falë aftësive të tija, ngjiti shumë shpejt shkallët e karrierës kishtare: së pari si sekretar i kanonikëve (1687), më pas si kardinal (1690) e së fundi si i 261-ti pasardhës i Shën Pjetrit (23 nëntor 1700). Pati një papni të trazuar nga konflikti i vazhdueshëm ndërmjet Francës e Perandorisë spanjolle, që krijoi rrezikun e një sulmi të armatosur kundër papatit. Përballoi me urtësi këtë konflikt e të tjerë, që u krjiuan pas Traktateve të Utrehtit, të Ratsadit e të Badenit (1712- 1714) ku u caktuan normat për ndarjen e Evropës. Më pas iu desh të përballonte një rrezik tjetër: atë të pushtimit turk. Dha një kontribut të shquar në fushën teologjike, duke luftuar herezitë e kohës; në fushën kanonike e liturgjike, duke kontribuar për përkryerjen e riteve lindore të kinezëve e malabaritëve; në fushën e misionit, duke dendësuar veprimtarinë misionare në Mesdheun Përendimor, Persi, Indi e Kinë. Në fushën e ndihmesës për atdheun e të parëve, krenar për prejardhjen shqiptare, u interesua nga afër për fatet e vendit, organizoi 14 janar 1703 Kuvendin e Arbënit në Mërçi të Lezhës dhe botoi Aktet e tij në shqip e latinisht, kontribut i madh për përhapjen e gjuhës e të kulturës në trojet shqiptare, hap i parë drejt rilindjes shpirtërore e kombëtare të një populli që rënkonte në errësirën e thellë të pushtimit, duke pritur padurueshëm, një rreze drite, që t'ia ndriçonte shtegun drejt lirisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.