Duke shfletuar kalendarin e 22 nëntorit, Kisha katolike përkujtoi Shën Çeçilen.
(22.11.2006 RV)Historia e martirizimit
të saj, ndonëse jo pa mangësi, është nga më të plotat në historinë e martirëve. Çeçilja,
e nderuar si martire e si pajtore e muzikantëve, është një nga shtatë vashat që kujtohen
nga Kanuni Romak. Asaj iu kushtua bazilika në Trastevere të Romës, një nga më të lashtat
e krishterimit, ngritur rreth vitit 313, në epokën e Kostandinit. E edhe festa e martires
është ndër më të lashtat: nisi të kremtohej në bazilikën e saj, që në vitin 545. Një
rrethanë tjetër domethënëse është ajo e varrosjes së martires në katakombet e Shën
Kalisitit, fare pranë vendvarrimit që njihej me emrin “Kripta e papëve”. Ishte papa
Pasquali I ai që e mbarti trupin e Shenjtores-martire nga katakombet në bazilikën
trasteverine. Shenjtja romake njihet edhe si pajtore e muzikantëve, sepse në rrëfimin
mbi martirizimin e saj shkruhet, ndërmjet tjerash, se kur luante në organo, martirja
këndonte vetëm për Zotin. Në vitin 1500 sarkofagu i saj u hap e trupi i Shenjtores
u gjet krejtësisht i paprishur, i mbështjellë me një petk mëndafshi qindisur me ar.
Atëherë skulptori i njohur Shtjefën Maderno skaliti në mermer shtatoren e saj të famshme,
duke riprodhuar besnikërisht pozicionin e trupit të martires. Tekste të shumta
letrare, pak të besueshme, rrëfejnë një sërë ngjarjesh dramatike nga jeta e Shën Çeçiles.
Flasin për tortura të tmerrshme, tregojnë se deshën t’ia presin kokën, por nuk munden,
ndonëse i ranë tri herë me shpatë, derisa ajo vetë u lut të merrnin fund torturat.
Kulti i shenjtores u përhap menjëherë në shumë vende, për shkak se me martirizimin
e saj tronditës, preku thellë zemrat e njerëzve e u bë model për të gjitha virgjërat
e krishtera, shumë nga të cilat u pagëzuan e pagëzohen me emrin Çeçile.