2006-11-21 16:52:24

Sot, në festën e Paraqitjes së Marisë në tempull, Kisha kremtoi Ditën e 53-të ‘Pro orantibus’.


(21.11.2006 RV)Mbi paraqitjen e Zojës në tempull, për t’iu kushtuar Zotit qysh në fëmijërí të parë, na flasin vetëm tradita e shkrimet apokrife. Liturgjia lindore e shënon ketë festë që në shekullin e katërt, ndërsa në Përëndim hyri në Kishë rreth shekullit XIV.
E kremtja përkujton kushtimin e Virgjërës Hyut me shpirt e me trup. Zonja me ketë akt bëhet modeli i gjithë atyre të cilët, aty e mbrapa, do t’i kushtohen Zotit me jetën rregulltare.
Prandaj sot, në përkujtimin liturgjik të Paraqitjes së Zojës së Bekuar në tempull, Kisha kremton edhe Ditën e 53-të Pro orantibus, kushtuar rregulltareve të klauzurës, për të cilat Papa foli në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke theksuar se kuvendet e jetës kundruese u ofrohen njerëzve si oaza të Shpirtit e u bëjnë mirë të gjithëve. Maria që paraqitet në tempull është ikonë profetike e atyre që dhurojnë jetën për lavd e lumni të Zotit e për kthimin e zemrave, përmes kushteve rregulltare. Kisha i shpreh mirënjohjen Zotit për këtë dhuratë dhe i kushton vëmendje të veçantë manastireve, posaçërisht atyre që kalojnë çaste të vështira.
Gjatë Ditës kushtuar rregulltareve të klauzurës, themeluar nga Piu XII më 21 nëntor 1953, besimtarët luten për ata që ia kushtojnë gjithë jetën kundrimit, duke bashkëpunuar në këtë mënyrë për ndërtimin e mbretërisë së Hyjit. Zgjedhja e rrugës kundruese nuk është e rastit: buron nga dashuria e thellë, pa kushte, për Krishtin dhe nga dëshira për të marrë pjesë shpirtërisht në problemet e Kishës e të botës. Shembulli i murgeshave mund të kthehet në forcë tërheqëse e t’i japë hov ecjes në gjurmët e Krishtit, që kërkohet nga çdo i pagëzuar.
Kjo Ditë u kujton gjithë të krishterëve se Krishti duhet të jetë në qëndër të jetës së tyre, se duhet të luten e të dëgjojnë fjalën e Zotit, për ta jetuar plotësisht fenë e tyre.
Sivjet kremtimi kryesor i Ditës u mbajt në selinë e Sekretaritatit të ndihmës për murgeshat e klauzurës në Romë. Meshën shenjte, kremtuar në kapelën e Kongregatës për Kishat Lindore në Vatikan, e kryesoi kardinali Franc Rodè, prefekt i Kongregatës për Institutet e Jetës së Përkushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike. Në përfundim të Meshës u përuruan lokalet e reja të Sekretariatit.
Kujtojmë se në Itali ka 534 kuvende klauzure me 6. 800 murgesha e 360 rishtare. Në vendet e ndryshme të Evropës numrohen 1. 800 kuvende, në Afrikë, 90, në Azi 180, në SHBA 190, në Amerikën Jugore 740, gjithsejt 3. 534 kuvende femërore klauzure në mbarë botën me 47. 626 murgesha e 8. 107 rishtare.
Por ndokush pyet – siç tha edhe Papa në lutjen e së dielës – ç’kuptim e ç’vlerë mund të ketë prania e tyre në kohën tonë, përballë situatave të shumta e urgjente të varfërisë e të mjerimit?
“Pse ‘të mbyllen’ përgjithmonë ndërmjet mureve të një manastiri e t’i lënë të tjerët pa ndihmesën e aftësive e përvojave të fituara? Ç’fryt mund të ketë lutja e tyre për zgjidhjen e problemeve të shumta konkrete, që vijojnë ta trondisin njerëzimin?”.
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje ftuam në mikrofonin tonë motër Gjovana Zoleton, murgeshë në manastirin e Klariseve të Gjudekës pranë Venedikut:
Pyetje: - Motër, si do të ishte bota pa kuvendet e klauzurës?
Përgjigje: - Do të ishte si një dru pa rrënjë. Rrënjët nuk shihen, por janë ato që i japin ushqim bimës, që të zhvillohet e të shfaqë bukurinë e krijimit. Gjithçka nis nga rrënjët, që janë nën tokë, nuk shihen, por prej tyre niset limfa jetike, lëngu i jetës.
Pyetje: - Si e kaloni ditën në kuvend?
Përgjigje: - Dita jonë është shndërrim i lutjes me punë e jetë të përbashkët. E nisim në orën 5. 30; në orën 6. 00 kremtojmë lavdet, vjen më pas Kënga e liturgjisë së Kishës e një gjysëm ore reflektim e lutje personale. Në orën 7. 00 kremtohet Mesha shenjte, në 9. 00 rifillojmë lutjen e orës së tretë. Si përfundon lutja, fillojmë punën. Secila nga ne ka një punë të caktuar, duke nisur nga kuzhina, sakrestia, infermieria e deri tek kujdesi për motrat e sëmura. Kemi edhe një kopsht të vogël, që e punojmë vetë. Rimblidhemi në lutje në orën 11. 30, ndërsa në orën 12. 00 kemi drekën, gjatë së cilës shkëmbejmë ndonjë mendim, themi ndonjë fjalë miqësore. Vijon më pas koha e heshtjes së plotë, që ndërpritet në orën 14. 00, kur kemi orën e nëntë, pjesë tjetër e lutjes liturgjike, pasuar nga Rruzarja shenjte. Vijon koha e punës, siç thashë edhe më parë. Në orën 18. 00 fillojmë uratët e mbrëmjes, lexojmë oficen dhe meditojmë. Pas darke kemi kohën e çlodhjes. Shkëmbejmë përsëri ndonjë mendim e pastaj në orën 21. 00 kemi lutjen e fundit, kompietën, që mbyll ditën dhe falënderojmë Zotin për gjitha të mirat e ditës. Ia përcjellim Zotit lutjet e drejtuara nga vëllezërit që kërkojnë ndihmën e lutjes sonë.
Pyetje: - Kohët e fundit ka pasur shumë sukses filmi-dokumentar “Heshtja e madhe” kushtuar jetës në një kuvend çertozin. Është një film pa kurrnjë fjalë. Ç’mund të na thoni për vlerën e heshtjes?
Përgjigje: - Heshtja është sidomos kërkimi i intimitetit me Zotin. Është një çast në të cilin shpirti qëndron para Zotit, Krijuesit të vet. Atëherë vetvetiu nga zemra buron lavdërimi, sepse harrohet vetvetja e shihet vetëm Zoti. E duke e parë, nuk mund të mos bindemi se Ai është dashuri e se jeta jonë shkon tek burimet e vërteta të jetës e të dashurisë.
Pyetje: - Benedikti XVI nënvizon shpesh nevojën e kujdesit për shpirtin në mes të aktivizmit që krijon rrezikun të na largojë nga lidhja e vërtetë me Zotin. Si mund të lutemi ne, që rrethohemi nga zhurmat dhe tronditjet e përditshme?
Përgjigje: - Duke krijuar ato hapësira, në të cilat vihesh ballpërballë me Zotin e duke i kërkuar Zotit ndihmë, sepse, siç thotë Jezusi: “Vetëm nuk mundeni, prandaj kërkoni dhantinë e Shpirtit Shenjt”. Atëherë sa më shumë krijohet kjo hapësirë, aq më tepër ndjen dëshirë të lutesh. Është një lloj si puna e urisë: kur ke uri, kërkon ushqim. Prandaj mendoj se duhet qëndruar në heshtje të paktën pesë minuta në ditë. Pastaj do të të duken pak e do të kërkosh të rrish gjithnjë më gjatë ballpërballë me Zotin.







All the contents on this site are copyrighted ©.