Selia e Shenjtë shprehu keqardhjen dhe mospëlqimin për lorganizimin e një manifestimi
të ashtuquajtur “i krenarisë homoseksuale” që do të organizohet sot në Jeruzalem.
(9.11.2006 RV) Pas kësaj proteste kryetari i policisë izraelite, Moshe Karadi,
njoftoi se manifestimi do të mbahet nesër, por jo nëpër rrugët e Jeruzalemit, siç
ishte parashikuar. Vendi i takimit do të jetë stadiumi i universitetit hebraik. Që
dje policia pati hamendësuar shtytjen e takimit, jo për arsye etike, por për shkak
të kërkesës së kryepolicit të Jeruzalemit, Ilan Franko, sipas të cilit mbikqyrja e
një manifestimi me pjesëmarrje të madhe në rrethana alarmi terrorist, do të kërkonte
praninë e mijëra policëve nëpër të gjitha rrugët e Qytetit Shenjt. Lajmi i djeshëm
për marshimin e homoseksualëve ngjalli protesta edhe nga ana e disa bashkësive fetare.
Në një notë të Sallës së Shtypit të Vatikanit, publikuar dje, Selia e Shenjtë
shprehu mospëlqimin e saj të plotë për nismën, që prek thellë ndjenjat e miliona besimtarëve
hebrenj, myslimanë e të krishterë, për të cilët qyteti i Jeruzalemit është i shenjtë.
Prandaj me të drejtë kërkuan të respektohen bindjet e tyre fetare. Në dritën e elementeve
të tillë e duke pasur parasysh se në rastet e mëparshme janë fyer vazhdimisht këto
vlera – theksoi Salla e Shtypit – Selia e Shenjtë shpreson se çështja do t’i nënshtrohet
rishqyrtimit të duhur. Një notë me të njëjtin ton iu dorëzua po dje nga Nunziatura
apostolike në Izrael Ministrisë izraelite të punëve të jashtme. “Selia Shenjte – shkruhet
në këtë dokument - ka përsëritur në shumë raste se e drejta për lirinë e shprehjes,
e sanksionuar nga Deklarata e të Drejtave të Njeriut, ka edhe kufizimet e veta, posaçërisht
kur ushtrimi i kësaj së drejte fyen ndenjat fetare të besimtarëve. Është e qartë –
shkruhet akoma - se manifestimi i homoseksualëve në Jeruzalem do të fyente shumicën
e hebrenjve, të myslimanëve e të krishterëve, duke qenë se për ta ky qytet është i
shenjtë.Theksojmë se marrëveshja e fundit për organizimin e marshimit gay në stadium,
nuk e ndryshon aspak qëndrimin e Vatikanit.