2006-11-21 16:51:59

Do të dalë në pranverë libri i parë i Benediktit XVI “Jezusi i Nazaretit” Atë Lombardi: “Është vepër e madhe e teologjisë dhe përshpirtërisë”.


(21.11.2006 RV) Do të dalë në pranverë libri i Benediktit XVI përqëndruar tek figura e Krishtit dhe e mësimit të tij hyjnor: njoftimin e dhanë sot paradite Salla e Shtypit dhe Shtëpia Botuese e Vatikanit. Në mikrofonin tonë, Atë Federiko Lombardi e quan vëllimin “vepër të madhe të teologjisë, ezegjezit dhe përshpirtërisë”.
“Benedikti XVI ka përfunduar pjesën e parë të një libri me titull: “Jezusi i Nazaretit. Nga pagëzimi në Jordan, tek të Shndërruemët”- këtë njoftim e dha sot Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë. Libri, me dhjetë kapituj, është dorëzuar pak ditë më parë në Shtëpinë Botuese të Vatikanit, e cila ka përfunduar marrëveshjen me Shtëpinë Botuese Ricoli, duke i dhënë të drejtën e përkthimit, të shpërndarjes e të shitjes në mbarë botën. Vepra, që do të dalë nga shtypi në pranverën e vitit të ardhshëm, është e para e Benediktit XVI që nga zgjedhja në papni. Nga vëllimi janë botuar disa fragmente të parathënies e të hyrjes, prej të cilave shihet qartë thellësia e reflektimit të Papës mbi figurën e Jezu Krishtit.
Por, për ta kuptuar më mirë rëndësinë që ka libri “Jezusi i Nazaretit” për besimtarët e jo besimtarët, të ndjekim drejtorin tonë të përgjithshëm, Atë Federiko Lombardin:
“Fakti që Benedikti XVI arriti ta përfundojë pjesën e parë të veprës së tij të madhe mbi Jezusin e, pas pak muajsh, do ta kemi në dorë, është një lajm shumë i bukur. Më duket diçka e jashtzakonshme që, megjithë impenjimet dhe shqetësimet e papnisë, Ati i Shenjtë mundi t’i afrohet përfundimit të një vepre impenjative jo vetëm shpirtërore, por edhe shkencore. Papa thotë se i ka kushtuar çdo çast të lirë, ditë për ditë. E edhe ky është një mesazh shumë domethënës mbi rëndësinë dhe urgjencën që ka për të kjo vepër. Papa e thotë qartë, me thjeshtësinë e përvujtërinë e tij të zakonshme, se nuk është fjala për një ’akt magjisterial”, por për një fryt të kërkimit të tij personal e si i tillë, mund të diskutohet e të kritikohet lirisht. Kjo është një vërejtje tepër e rëndësishme, sepse na sqaron se nuk kemi të bëjmë me një enciklikë të gjatë kushtuar Jezusit, por me një paraqitje personale të figurës së Jezusit nga teologu Jozef Racinger, që u zgjodh ipeshkëv i Romës. Njëkohësisht është shumë domethënës edhe fakti se ai që u zgjodh ipeshkëv i Romës dhe e ka për detyrë t’i përforcojë vëllezërit e tij në fe, ndjeu një thirrje tepër të fortë për të na dhënë një paraqitje të re të figurës së Jezusit.
Parathënia e gjatë, nga e cila njohim fillimin e fundin, na shpjegon se në situatën kulturore aktuale dhe në shumë paraqitje të figurës së Krishtit, distanca ndërmjet ‘Jezusit historik’ dhe ‘Krishtit të fesë’ është bërë gjithnjë më e madhe, aq sa është krijuar përshtypja se dimë shumë pak për Jezusin e se vetëm më vonë besimi në hyjninë e Tij krijoi figurën e Krishtit. Një situatë e tillë është dramatike për fenë – vëren Papa - sepse e bën të paqartë miqësinë me Jezusin, nga e cila varet gjithçka. Prandaj mund të themi se me veprën e tij, Ati i Shenjtë ka për qëllim të bëjë një shërbim themelor për të mbështetur fenë e vëllezërve, e këtë e bën përmes Jezusit. Nga sa lexojmë në fragmentet që janë botuar, Jezusi paraqitet si Moisiu i ri, profeti i ri që flet me Zotin “sy për sy’, që është Biri i Hyjit, thellësisht i bashkuar me Atin. Në se lihet mbanesh ky aspekt themelor, figura e Jezusit bëhet kontradiktore dhe e pakuptueshme. Jozef Racinger na flet me pasion për bashkimin e ngushtë të Jezusit me Atin dhe dëshiron ta përfshijë edhe nxënësin që ndjek Jezusin në këtë bashkim. Do të lexojmë, pra, një vepër të madhe ekzegjezi e teologjie, por edhe një vepër të madhe përshpirtërie.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.