2006-11-18 15:57:19

Familja e rregulltarëve mercedarë denoncon skllavëritë e mijëvjeçarit të tretë në botë.


(19.11.2006 RV)RealAudioMP3 Mercedarët, anëtarë të familjes rregulltare, themeluar në vitet 1300 pikërisht për të liruar skllevërit, gjatë një takimi të mbajtur këto ditë, vërtetuan me fakte e statistika se skllavëria nuk i përket vetëm së kaluarës. Është njollë turpi e pashlyer në ballë të popujve e të vendeve të ndryshme, madje edhe të vendeve të industrializuara si Franca, SHBA e Italia.
Sipas etërve mercedarë, skllavërisë tradicionale dhe tregtisë së skllevërve i shtohen edhe shitja e fëmijëve, prostitucioni, pornografia infantile, shfrytëzimi i punës të të miturve, gjymtimi seksual i vajzave të vogla, përdorimi i fëmijëve ndër konfliktet e armatosura e në tregjet e prostitucionit, skllavëria për borxhe, trafiku i njerëzve, shitja e organeve e disa praktika të tjera të regjimeve koloniale të aparteidit.
Një nga format më të rrezikshme e më të turpshme të skllavërisë moderne është padyshim shitja e organeve. Atë Damazo Masabo, Prokuror i Përgjithshëm i Mercedarëve, denoncoi tregjet e shitjes së organeve, për të cilat është shkruar shumë herë edhe në shtypin shqiptar. Prokurori mercedar vuri theksin sidomos mbi Kinën, ku ka një treg të lulëzuar, në të cilin veshkat kushtojnë 62 mijë dollarë, mushkëritë 15 mijë, një korne 30 mijë dollarë e kështu me radhë. Në Pakistan shiten 6. 500 veshka në vit; nga Kolumbia, vetëm në vitin 2005, janë eksportuar ndër vende të ndryshme të botës më se njëmijë korne. Ndër vendet e varfëra të Evropës lindore një veshkë shitet 1. 900 deri në 3. 000 euro; vendet e pasura e blejnë për ta impiantuar në Stamboll, duke paguar 10 deri në 18 mijë euro.
Numri i skllevërve të rinj në botën e sotme ka arritur në shifrën 270 milionë, ndërmjte të cilëve, 200 milionë fëmijë. 50 milionë janë vetëm në Azi, ndërsa sipas të dhënave statistikore të shtetit, në Itali 30 mijë vetë jetojnë në gjendje skllavërie.
Atë Damazo foli edhe për shuplakën e prostitucionit, duke theksuar se vetëm në Itali janë flakur në rrugë 50- 70 mijë skllave të seksit, ardhur nga Afrika lindore, Amerika Latine e nga Evropa lindore. Prej tyre, 30-40% janë të mitura, ndërmjet 14 e 18 vjetëve. Ndërkaq në Benin një i mitur shitet për 75 frank zviceranë.
Ç’duhet bërë? Etërit mercedarë, të cilët gjatë historisë së tyre kanë liruar më se 52 mijë skllevër, vijojnë të ushtrojnë kushtin e katër të Urdhërit të tyre: të dhurojnë jetën e vet për jetën e të tjerëve. E po kështu edhe rregulltaret e familjeve të ndryshme mercedare, të përhapura në mbarë botën. Por skllavëria moderne nuk mund të zhduket pa një impenjim të përbashkët të mbarë njerëzimit për t’i dhënë fund një turpi e një plage të tillë, në një kohë kur flitet kaq shumë për mbrojtjen e të drejtave e të dinjitetit të njeriut.







All the contents on this site are copyrighted ©.