Papa takohet me kryetarët e dikastereve të Kuries Romake për çështjen e imzot Milingos:
ripohohet vlera e zgjedhjes së çelibatit meshtarak.
(17.11.2006 RV) Dje Benedikti XVI kryesoi në Vatikan mbledhjen e kryetarëve
të dikastereve të Kuries Romake për një reflektim të përbashkët. Pjesëmarrësit në
takim – shpjegon një notë e Sallës së Shtypit të Vatikanit – u njoftuan hollësisht
mbi kërkesat e heqjes së detyrimit të çelibatit dhe të ripranimit në misionin meshtarak,
paraqitur nga meshtarët e martuar gjatë viteve të fundit. U ripohua – vijon Nota
– vlera e zgjedhjes së çelibatit meshtarak sipas traditës katolike dhe kërkesa për
formimin e shëndoshë njerëzor e të krishterë si për seminaristët, ashtu edhe për meshtarët
e shuguruar. Në një Komunikatë të publikuar të martën e kaluar, Salla vatikanase
e Shtypit saktësonte se takimi qe thirrur për të shqyrtuar çështjen e imzot Milingos,
kryeipeshkëv nderi i Lusakës, i shkishëruar “latae sententiae”, dmth i përjashtuar
menjëherë nga radhët e bashkimit kishtar, sepse shuguroi ipeshkvij 4 meshtarë, pa
mandatin e nevojshëm papnor. Natyrisht shugurimi, i kremtuar më 24 shtatorin e kaluar
në Uashington, u shpall menjëherë i pavlefshëm. Por për vlerën e zgjedhjes së
çelibatit, të dëgjojmë ipeshkvin e Kieti-Vastos, imzot Bruno Forte, në mikrofonin
e Radios sonë: Përgjigje: - Çelibati konceptohet në tre drejtime kryesore.
Drejtimi i parë është ai kristologjik: Jezusi nuk ishte i martuar, për t’iu
kushtuar kështu plotësisht kauzës së Mbretërisë së Hyjit. Prandaj mund të themi se
meshtari është i thirrur të jetë, siç edhe është teologjikisht – njeri që përfaqëson
Krishtin-Kryetar; e përfaqëson, prandaj, edhe në zgjedhjen e rrugës së përkushtimit
të plotë të gjithë vetvetes për kauzën e Mbretërisë së Hyjit. Drejtimi i dytë
është ai ekleziologjik, dmth se duke qenë i pamartuar, meshtari ka mundësi t’i kushtohet
plotësisht Kishës-Nuse, e cila e bën baba të bashkësisë, gjë që na kujton Kishën e
lashtë që konsiderohet nënë e gjithë besimtarëve. Drejtimi i tretë është ai
eskatologjik: çelibati është parashijim i kalimit në Mbretërinë e Qiellit, ku njeriu
nuk do të jetë as burrë, as grua, por të gjithë do të jemi një në Jezu Krishtin. Kjo
do të thotë edhe të jesh dëshmitar i ardhmërisë së së Zotit, dmth dëshmitar i shpresës.