Sot në Vatikan u mbajt takimi i kryesuar nga Papa për çështjen e imzot Milingos.
(16.11.2006 RV)Sot Benedikti XVI kryesoi në Vatikan mbledhjen e kryetarëve
të dikastereve të Kuries Romake për të shqyrtuar çështjen e imzot Milingos, kryeipeshkëv
nderi i Lusakës, i cili u shkishërua “latae sententiae”, dmth u përjashtua menjëherë
nga radhët e bashkimit kishtar, sepse shuguroi ipeshkvij 4 meshtarë, pa mandatin e
nevojshëm papnor. Natyrisht shugurimi, i kremtuar më 24 shtatorin e kaluar në Uashington,
u shpall menjëherë i pavlefshëm. Në qëndër të mbledhjes së sotme – siç ka njoftaur
edhe Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, përmes një komunikate, ishte reflektimi
mbi kërkesat e heqjes së detyrimit të çelibatit dhe të ripranimit në misionin meshtarak,
paraqitur nga meshtarët e martuar gjatë viteve të fundit. Komunikata saktësonte se
në rendin e ditës nuk parashikoheshin argumente të tjera. Në një komunikatë
tjetër, publikuar më 26 shtatorin e kaluar, Salla e Shtypit e Vatikanit nënvizonte
se Kisha e priti me dhimbje të thellë vendimin e kryeipeshkvit Milingo për t’iu kundërvënë
bashkimit kishtar me krijimin e shoqatës së meshtarëve të martuar, gjë që ngjalli
përçarje e pakënaqësi ndërmjet besimtarëve. Duke pasur parasysh qëndrimin dashamir,
që mbajti edhe kohët e fundit Papa kundrejt këtij bariu të moshuar të Kishës – vijonte
nota – Selia e Shenjtë ndoqi me durim të vëmendshëm zhvillimin e ngjarjeve të cilat,
për fat të keq, e çuan imzot Milingon në kushte parregullsie dhe thelluan më tej
shkëputjen e tij nga bashkimi i Kishës, së pari me martesën e më pas me shugurimin
e katër ipeshkvijve të martuar. Në këtë gjendje anormale, tepër të trishtuar
përfundonte deklarata e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë - Kisha e fton bashkësinë
e besimtarëve ta lusin Zotin që ky vëlla të pendohet e të bëjë kthesë.