Katolikët e anglikanët japin hov të ri dialogut ekumenik: takim historik i ipeshkvijve
katolikë të Anglisë e të Galesit me ipeshkvijtë anglikanë në Lids.
(15.11.2006 RV)Ditë historike e sotmja në rrugën ekumenike: për herë të parë
u mblodhën së bashku në Lids ipeshkvijtë katolikë të Anglisë e të Galesit me ipeshkvijtë
anglikanë, të kryesuar përkatësisht nga Primati i Anglisë, Rouan Uilliams, kryeipeshkëv
i Kanterbërit dhe nga Kardinali Kormak Marfi-O’Konorr, kryeipeshkëv i Uestminsterit.40
vjet më parë, vizita në Vatikan e kryeipeshkvit të atëhershën të Këntërbërit Majkëll
Ramsei, që u prit në audiencë nga Pali VI, shënonte, menjëherë pas Koncilit II të
Vatikanit – një etapë historike në dialogun ekumenik, që do ngjallte shpresa të mëdha
për bashkimin e plotë të gjithë të krishterëve e do të sillte, në vitet që do të vinin,
fryte pajtimi doktrinor e baritor. Për ta përkujtuar këtë ngjarje të madhe, u organizua
takimi që u hap dje pasdite në Lids të Anglisë, i cili do të pasohet nga vizita që
Primati i Anglisë, Uiljams, do të bëjnë më 23 nëtorin e ardhshëm në Vatikan, ku do
të takohet me Benediktin XVI. “E njohim vlerën që ka puna e përbashkët për t’i dhënë
shoqërisë një dëshmi të krishterë të njëzëshme” nënvizojnë kryeipeshkvi Uiljams e
kardinali O’Konorr në një deklaratë të përbashkët, publikuar dje, në të cilën theksohet
edhe rëndësia e punës krah për krah me konfesionet e krishtera dhe me përfaqësuesit
e feve të tjera për të mirën e gjithë shoqërisë njerëzore. Misioni që na ka besuar
Krishti - shkruajnë dy prijësit, ai anglikan e ai katolik – na ngarkon me detyrën
të impenjohemi thellësisht e gjërësisht në këtë mision, të bazuar mbi dialogun e mbi
lutjen e përbashkët”. Nuk i fshehin, më pas, as vështirësitë, që nuk mungojnë. Por
entuziazmi për dialogun – shkruajnë dy kryeipeshkvijtë – na shtyn t’i përballojmë
ndershmërisht argumentet për të cilat nuk jemi të një mendimi. E kjo është e mundur
– përfundon nota – kur mbështetesh tek Ungjilli".