2006-11-13 16:57:50

Vatikani publikoi programin e shtegtimit apostolik të Benediktit XVI në Turqi, nga 28 nëntori deri më 1 dhjetorin e ardhshëm.


(13.11.2006 RV) Papa do të shkojë në trojet ku nxënësit e Jezusit u quajtën për herë të parë të krishterë. Do të niset në orën 9-të, të martën, më 28 nëntor, nga aeroporti romak i Fiumiçinos, për të arritur në orën 13. 00 në aeroportin ndërkombëtar Esemboga të Ankarasë. Etapa e parë – vizita në muzeun e Ataturkut, Atë i Atdheut, që shpalli Republikën turke në vitin 1923. Më pas do të zhvillohet ceremonia e mirëseardhjes dhe vizita tek presidenti i Republikës, Ahmet Nexhdet Sezer; takimi me zevendës-kryeministrin e me kryetarin për çështjet fetare, Ali Bardokoglu në selinë e këtij të fundit: këtu Papa do të mbajë një fjalim. Gjithnjë në Ankara, në nunciaturën apostolike, Benedikti XVI do të takohet me Trupin diplomatik.
Të nesërmen Ati i Shenjtë do të niset nga aeroporti i Ankarasë për të arritur në Smirnë: që këtu do të shkojë në Efez, ku në orët e vona të paradites do të kremtojë Meshën në shenjtëroren e Meryem Ana Evi, siç quhet turqisht “Shtëpia e Marisë”. Në Efez, në vitin e largët 431, u mbajt Koncili i famshëm, që e shpalli Virgjërën Mari ‘Theotokos’ – ‘Nënë e Hyjit’. Pasdite Papa do të riniset nga aeroporti i Smirnës, për të arritur në Stamboll, ku do të mbahet vizita e lutjes në Kishën patriarkale të Shën Gjergjit si dhe takimi privat me Patrikun ekumenik të Kostantinopojës, Bartolomeun I, të cilit Papa do t’i drejtojë përshëndetjen në selinë e patriarkanës.
Paraditen e së enjtes, 30 nëntor, në Stamboll, Papa do të marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore në Kishën patriarkale të Shën Gjergjit: këtu do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të një Deklarate të përbashkët. Benedikti XVI do të drekojë me Bartolomeun I pranë patriarkanës. Pasdite do të vizitojë muzeun e Shën Sofisë; më pas do të shkojë për një vizitë lutjeje në katedralen armene apostolike, ku do të takohet me Patrikun Mesrob II. Pranë përfaqësisë papnore, Ati i Shenjtë do të takohet me Metropolitin siro-ortodoks dhe me Rabinin e madh të Turqisë. Në mbrëmje-takimi dhe darka me anëtarët e Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Turqisë.
Paraditen e së premtes, 1 dhjetor, gjithnjë në Stamboll, Papa do të kremtojë Meshën në katedralen e Shpirtit Shenjt, për të shkuar më pas në aeroport, prej nga do të niset në orën 13. 15 për të arritur në aeroportin romak të Çampinos në orën 14. 45 (duke pasur parasysh se ora e Turqisë është një orë para në krahasim me atë të Italisë).Kujtojmë se në Turqi kanë qenë edhe Papa Pali VI, në vitin 1967 dhe Gjon Pali II më 1979. Papa Vojtila arriti në Ankara më 29 nëntor, 27 vjet më parë dhe i drejtoi bashkësisë së krishterë fjalët që ia pati drejtuar të krishterëve të këtyre trojeve Shën Pjetri: “Të jeni gati për t’iu përgjigjur të gjithë atyre që ju kërkojnë arsyet e shpresës suaj. E këtë ta bëni me ëmbëlsi e respekt, me ndërgjegje të drejtë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.