2006-11-13 17:02:27

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot në Vatikan, Papa bëri thirrje që përballë dramës së urisë të 800 milion personave në botë, të ndryshohet stili i jetës e i konsumit.


(13.11.2006 RV)RealAudioMP3 Përballë dramës së urisë, që bëhet gjithnjë më e rëndë, duhet ndryshuar modeli i zhvillimit, por është e nevojshme edhe që secili nga ne të zbatojë një stil të ri jete e konsumi, që ka vulën e solidaritetit e të drejtësisë e të mos japë vetëm tepricat. Kjo është sinteza e fjalëve të Papës në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar si zakonsiht në Sheshin e Shën Pjetrit. Gjatë lutjes, Ati i Shenjtë kujtoi se në uratën që na ka mësuar Jezusi, buka është e jona, dmth e të gjithëve, e jo vetëm e imja. Të shumtë shtegtarët e besimtarët e pranishëm, që e ndoqën Papën, pa marrë parasysh kohën me shi.
Benedikti XVI mori shtytje nga Dita e falënderimit të Zotit për të mirat e tokës, që kremtohej dje në Itali, me temë “Toka, dhuratë për mbarë familjen njerëzore”. Papa shpjegoi se në familjet e krishtera të vegjlit, para se të hanë bukë, mësohen ta falënderojnë gjithnjë Zotin me një uratë të shkurtër e me shenjën e kryqit. Ky zakon – i nxiti besimtarët Ati i Shenjtë – duhet ruajtur ose rizbuluar, sepse i edukon që të mos e shikojnë bukën e përditshme si diçka të rëndomtë, që nuk duhet të mungojë kurrë në sofër, por duhet ta dinë mirë se është dhuratë e Provanisë hyjnore”.
Duhet të mësohemi ta bekojmë Krijuesin për çdo gjë: – nënvizoi Papa - për ajrin e ujin, elemente të çmuara, që janë në bazë të jetës së Planetit tonë; për ushqimet e përditshme që Zoti na dhuron përmes pjellorisë së tokës. Jezusi i mësoi nxënësit e vet të luteshin, duke i lypur Atit qiellor jo bukën time, por bukën tonë të përditshme. Deshi, kështu që çdo njeri ta ndjente përgjegjësinë përballë vëllezërve të tij, që askujt të mos i mungojnë gjërat e nevojshme për jetën. Prodhimet e tokës janë dhuratë e Zotit për mbarë familjen njerëzore”.
Papa foli edhe për dramën e urisë që nuk po lehtësohet, madje në disa vende po rëndohet më shumë, me gjithë takimet botërore të rangut të lartë organizuar mbi këtë argument. Raporti i fundit i FAO-s – nënvizoi Ati i Shenjtë – konfirmoi atë, që Kisha e di shumë mirë nga përvoja e drejtpërdrejtë e bashkësive dhe misionarëve të saj të shpërndarë në mbarë botën: dmth që 800 milion persona mezi sigurojnë bukën e gojës, ndërsa një numër tepër i madh njerëzish, ndërmjet të cilëve shumë fëmijë, vdesin nga uria. Ç’duhet bërë?
“Sigurisht duhen zhdukur shkaqet strukturore lidhur me drejtimin e ekonomisë botërore, e cila e shpenzon shumicën e burimeve të planetit, për pakicën e popullsisë. Një padrejtësi e tillë –tha Papa - është dënuar në raste të ndryshme nga Paraardhësit e mi të nderuar, Shërbëtorët e Zotit, Pali VI e Gjon Pali II. Për të ndikuar në shkallë të gjërë, është e nevojshme të ndryshohet modeli i zhvillimit global; këtë e kërkojnë prej kohe jo vetëm shkandulli i urisë, por edhe emergjencat ambientale dhe energjitike. Sidoqoftë, çdo njeri e çdo familje mund e duhet të bëjë diçka për të lehtësuar barrën e padurueshme të urisë në botë, duke zgjedhur një stil jete e konsumi në përkim me ruajtjen e gjithësisë e me kriteret e drejtësisë për atë që punon tokën në çdo vend”.
Pra, pohoi Ati i Shenjtë – duhet të impenjohemi konkretisht për ta zhdukur shuplakën e urisë, duke vënë në jetë, në të katër anët e globit, drejtësinë e solidaritetin.
E, pas kremtimit të lutjes së Engjëllit të Tënzot, në përshëndetjet ndër gjuhë të ndryshme, Ati i Shenjtë kujtoi Ungjillin e së dielës, në të cilin flitej për vejushën varfanjake që hodhi në thesarin e Tempullit gjithçka kishte mbas shpirtit. Prandaj Papa e paraqiti si shembull dhe, duke iu drejtuar besimtarëve, shtoi:“Uroj që të jepni kohën tuaj, gatishmërinë tuaj, vetveten tuaj, e jo vetëm tepricat tuaja, që mbretëria e Hyjit të lulëzojë ndërmjet njerëzve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.