Kalendari Kishtar i 13 nëntorit, përkujton Shën Nikollën I Papë.
(13.11.2006 RV)Papa Nikolla
I, që e drejtoi Kishën katolike universale nga 24 prilli i vitit 858 deri më 13 nëntor
867, lindi në Romë në 20 vjetët e para të shekullit IX. Është e sigurtë se u shugurua
subdiakon nga Papa Sergji II, i cili papnoi nga viti 844 deri në vitin 847. Ishte
njeri me kulturë të gjithanshme, me personalitet të jashtzakonshëm, me fe të gjallë.
Prandaj u mirëprit si nga autoritetet shekullare, ashtu edhe nga Kisha e nga populli
romak. Gjatë Papnisë së tij iu desh të ndeshej si me mbretërit, ashtu edhe me metropolitët
e autoritetet politike e kishtare të Kostantinopojës për afirmimin e parisë papnore
dhe për pranimin e epërsisë së Kishës në çështjet fetare, posaçërisht në zgjedhjen
e ipeshkvijve. Papa Nikolla I, që mendonte se njerëzit e Kishës nuk duhet të merrnin
pjesë në qeverisjen e punëve të kësaj bote, vdiq më 13 nëntor 867 e u varros në tremen
e Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, para portave të saj.