2006-11-10 18:13:19

Papa me ipeshkvijtë gjermanë: besimtarët të mos kenë frikë ta dëshmojnë Krishtin në shoqërinë tonë të shekullarizuar e në dialogun me fetë tjera.


(10.11.2006 RV) Të krishterët nuk duhet të kenë frikë nga ballafaqimi shpirtëror me një shoqëri, pas epërsisë intelektuale të së cilës fshihet tronditja para pyetjeve të fundit të jetës. Kjo është këshilla që u dha Papa prelatëve gjermanë, të cilëve u bëri thirrje ta përballojnë me guxim, si sfidë providenciale, situatën e një kulture në të cilën sundon shekullarizimi, karakteristike për gjithë botën perëndimore. Në këto kushte bëhen përpjekje për ta zhdukur Zotin nga ndërgjegja publike, ndërsa uniciteti i figurës së Krishtit zbehet dhe vlerat e formuara nga tradita kishtare bëhen gjithnjë më pak të frytshme. Kjo e vështirëson jetën shpirtërore të besimtarëve, të cilëve u krijohen mundësitë të zgjedhin mënyra jetese gjithnjë më të larmishme. Prej këndej, shumë besimtarë humbasin guximin e dorëzohen – gjë që i pengon në dëshmimin e Ungjillit të Krishtit, i cili çliron e shëlbon.
Nga ana tjetër - vijoi Ati i Shenjtë – shumë njerëz rifillojnë të bëjnë pyetje e ta shikojnë plot shpresë mesazhin e krishterë, duke pritur nga ne përgjigje bindëse. E Kisha – ripohoi me forcë Papa – ka përgjigje që nuk e kanë humbur vlerën e tyre shpirtërore që prej dymijë vjetësh. Vlera e tyre nuk humbet – vijoi Papa – sepse shpresa e Kishës buron nga Ungjilli i Fjalës që u bë Njeri. Të përforcuar nga kjo vetëdije – shpjegoi Ati i Shenjtë – të krishterët janë në gjendje të dialogojnë me këdo për burimin e shpresës, që mbush plot shpirtin e ne të gjithëve. E kjo –saktësoi Papa –vlen edhe për marrëdhëniet tona me fetë tjera, posaçërisht me myslimanët e shumtë që jetojnë në Gjermani, të cilët i shikojmë me respekt e dashamirësi. Myslimanët që vijojnë t’i praktikojnë seriozisht fenë dhe ritet e tyre, – tha Benedikti XVI – kanë të drejtë ta njohin nga afër dëshminë e besimit tonë të përvujtë e të vendosur në Jezu Krishtin.
Më pas Ati i Shenjtë preku disa nga temat më të rëndësishme të jetës kishtare, aktuale për kishat e shumë vendeve. Foli për marrëdhëniet ndërmjet meshtarëve e laikëve, duke theksuar se roli i meshtarit në Kishë është udhëheqës, sepse falë shugurimit, flet e vepron në vend të Krishtit. Ceku edhe problemet e mësimit të fesë, të miratimit të librave që përdoren për këtë mësim, të formimit të katolikëve të rritur, të besnikërisë së mësuesve të fesë ndaj Kishës dhe pjesëmarrjes së tyre në jetën liturgjike e baritore të famullive. Papa theksoi edhe domosdoshmërinë e edukimit të përshtatshëm ndër seminare, posaçërisht kur kandiatët për meshtari nuk vijnë më nga mjedise tradicionale katolike. E kjo – theksoi me forcë Shenjtëria e Tij - sepse pikërisht nga formimi i meshtarëve, varet edhe transmetimi i plotë dhe i vërtetë i fesë.







All the contents on this site are copyrighted ©.