2006-11-09 17:00:28

USA: demokratët në Kongres. Largohet Ramsfeld.


(09.11.06 RV)Vazhdon jehona e zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA. Demokratët fitojnë shumicën edhe në Senat, duke marrë kështu në dorë krejt Kongresin. Tërmeti politik, që sollën rezultatet e zgjedhjeve, e ka detyruar administratën e presidentit Bush të bëjë viktimën e saj të parë. Dje dha dorëheqjen sekretari i Mbrojtjes, Donald Ramsfeld, i cili konsiderohet si një nga përgjegjësit e politikës amerikane ndaj Irakut. E zëvendëson Robert Gejts, kreu i CIA-s nga viti 1991 deri në vitin 1993. Ai është një figurë teknike e jo ideologjike dhe është ekspert i punës së padukshme të sigurimit të shtetit, gjë që i mungon SHBA në Irak. Ndërkaq, mazhoranca e re demokrate në Kongres i ka kërkuar menjëherë presidentit Bush një mbledhje urgjente për Irakun.
Nga të gjitha kancelaritë ndërkombëtare pritet një ndryshim në politikën e jashtme amerikane, por edhe ndryshime të tjera. Presidentit republikan Bush do t’i duhet të punojë me demokratët. Sa është e mundur kjo, na e shpjegon Massimo Teodori, docent i historisë amerikane në Universitetin e Peruxhas, në Itali:
Kjo është një praktikë mjaft e rregullt në Shtetet e Bashkuara, sepse presidenca dhe Kongresi nuk janë të lidhura nëpërmjet votëbesimit, por nga një marrëdhënie kontrolli të anasjelltë. Ka ndodhur shpesh edhe në të kaluarën, që presidentë të një krahu partiak të kenë pasur një Kongres të krahut tjetër. Në këto raste, sidomos në politikën e jashtme, ka pasur një bashkëpunim të madh, në veçanti me Senatin. Prandaj, ka mundësi që për të gjetur një rrugëdalje nga Iraku, presidenti Bush të bashkëpunojë me lidershipin demokratik, sidomos në Senat.








All the contents on this site are copyrighted ©.