2006-11-09 18:11:28

Njerëzimi të mbushet me shpresë nga Jezusi-Eukaristi: janë fjalët e Benediktit XVI gjatë takimit me Komitetin Papnor për Kongreset eukaristike ndërkombëtare.


(9.11.2006 RV)RealAudioMP3 Sot Ati i Shenjtë u takua me pjesëmarrësit në mbledhjen plenare të Komitetit Papnor për Kongreset eukaristike ndërkombëtare, që përfundoi dje në Romë. Në kontekstin e kësaj mbledhjeje, kushtuar Kongresit të 49-të eukaristik ndërkombëtar që do të mbahet në Kuebek (Kanada) në qershor 2008, Papa theksoi se “qëndra e jetës së Kishës dhe e misionit të saj për shëlbimin e botës, duhet të jetë përpjekja që njerëzit ta njohin e ta duan gjithnjë më shumë Jezusin në misterin e Tij eukaristik”.
Eukaristia duhet të bëhet qëndër e jetës sonë! Benedikti XVI ripohoi me forcë atë që e ka theksuar që në fillim të papnisë, e cila nisi pikërisht në Vitin e Eukaristisë. E Ati i Shenjtë shpjegoi se Kongreset e Eukaristike janë një mundësi providenciale për t’ia treguar njerëzimit në mënyrë solemne “Eukaristinë, dhuratë e Zotit për jetën e botës”:
Është e vërtetë! Kongreset eukaristike, që mbahen herë pas here në vende e kontinente të ndryshme, janë gjithnjë burim i përtëritjes shpirtërore, rast për ta njohur më mirë të Shenjtnueshmin Sakrament, thesarin më të çmuar që na ka lënë Jezusi; janë edhe inkurajim për Kishën, të cilën e nxisin ta përhapë në të gjitha fushat e shoqërisë dhe ta dëshmojë pa ngurrim, dashurinë e Krishtit”.
Papa nënvizoi përsëri sa i dobishëm është, për shumë të krishterë, rizbulimi i Adhurimit eukaristik:
“Sa nevojë ka njerëzimi i sotëm ta rizbulojë, në Sakramentin eukaristik, burimin e shpresës së tij! Falënderoj Zotin që në shumë famulli, përveç kremtimit të devoçëm të Meshës shenjte, besimtarët edukohen edhe për Adhurimin eukaristik e, duke pasur parasysh edhe Kongresin e ardhshëm eukaristik ndërkombëtar –tha Papa - uroj që kjo praktikë të përhapet gjithnjë më shumë”. Më pas Benedikti XVI kujtoi se së shpejti do të publikohet Nxitja e Tij pas-sinodale, që do të përmbledhë këshillat lidhur me Sinodin e fundit të Ipeshkvijve, kushtuar pikërisht Misterit eukaristik. Një mister – pati thënë Ati i Shenjtë vitin e kaluar në Ditën Botërore të Rinisë në Këln – në të cilin takohemi me madhështinë e pakonceptueshme të një Zoti, që e uli veten deri në atë pikë .. sa të jepej si shujtë mbi elter”. Nuk është fuqia që shëlbon, por dashuria – pohoi Benedikti XVI në homelinë e fillimit të Papnisë. Kjo është shenja e Zotit: kjo është Eukaristia: “Zoti, që u bë qëngj, na thotë se botën e shpëton i Kryqëzuari, jo kryqëzuesit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.