2006-11-09 18:20:16

Imzot Bernardin Shllakun, OFM, në 50 vjetorin e vdekjës.


(9.11.2006 RV) Imzot Bernardin Shllaku, i biri i Jozefit e i Marie Ndojës, lindi në Shkodër më 23 qershor 1875, veshi petkun e Shën Françeskut më 8 dhjetor 1892; kushtet e përkohshme i bëri më 8 dhjetor 1893; të përjetshmet më 14 dhjetor 1896. U shugurua meshtar më 26 dhjetor 1897; Ipeshkëv i Pultit, më 1910; vdiq më 9 nëntor 1956. Me emrin e tij lidhet një shekull i historisë së Kishës në Shqipëri. Më 1911, kur Shqipëria përgatitej të rilindte, ai ishte tashmë Ipeshkëv i Pultit, Bari i Kishës, tek i cili grigja katolike e maleve kishte gjetur strehë të sigurtë në përpjekjen për të përballuar presionin turk e serb. Më 1935 familja françeskane do të kremtonte me madhështi 25- vjetorin e ipeshkvisë së tij.
Pastaj do të vinin vitet e rënda të burgimit, të poshtërimit, të izolimit e të vënies para një prove të rëndë: marrjes së vendimit për nënshkrimin e “Statutit të Kishës Katolike të Shqipërisë", sepse i vetmi prelat i mbetur gjallë në atë kohë tragjike për krishterimin në vend.
Sivjet në 50 vjetorin e vdekjes, po e kujtojmë me një faqe të re, të pabotuar e të panjohur rreth figurës së tij. Shkëputem pra, një fragment nga dorëshkrimi i Atë Gjergj Vatës kushtuar Atë Pjetër Meshkallës, në qëndër të të cilit është pikërisht figura e ipeshkvit në çastet më kritike të jetës së tij e të Kishës katolike në Shqipëri:
"Në vitin 1961, mbasi Atë Meshkalla kishte dalë prej burgut, shkova me ndejë me të. Kishem me vedi "Statutin e Kishës Katolike të Shqipërisë". Ishem kureshtar me pa ç'gjykim do të jepte Atë Mëshkalla mbi lojën e rrezikshme politiko-fetare luejtë nga kleri katolik dhe politikanët komunista në vitet ' 49 - ' 52. Mbasi u përshëndetëm me shumë mall e dashtuni, nxora Statutin, e "Si të duket kjo paçavër" - i thashë.
Ai vuni buzën në gaz e m'u përgjegj: "Jo, ky librec asht fitore për klerin tonë, natyrisht tue mendue me ke kemi të bajmë: me komunizmin ma të tërbuem, shartue mbi ideologjinë e egër të shumicës sonë. Mandej ti e di se këtu, mbi Statut, rrin sogje Besa e dhanë Shqiptare”.
Mbas këtyne fjalëve, nuk m'u durue e ia ktheva: "Lum Pjetri, po më duket se paske qenë në dijeni se si asht përpilue dhe si asht firmosë ky Statut”.
“Po - m'u përgjegj - a pak priftën kanë ra në burg sa me na i kallëxue fillë e për pê ngjarjet që ndodhshin përjashta, a? E sidomos ato të kishës sonë?"
“Ashtu asht, por ato sende që ti nuk mujte me i ndigjue në burg e drejtpëdrejtë nga goja e Monsinjor Shllakut, po t'i tregoj unë, sepse unë i shërbejshe si sekretar dhe i çojshe shkresat për firmë. Çdo ditë, sa qe në gjendje, më thirrte me bisedue me të, ndërsa Lezja, e kushërina, na piqte kafet. Me kafe përpara, fillojshim bisedat.
Kam përshtypjen, ma mirë me thanë bindjen, se Imzotin shpesh herë e brente ndërgjegja për takimin me Mehmet Shehun. Për këtë ai u mundue me u justifikue sa ishte gjallë dhe si fakt parashtronte se i gjithë kleri katolik shqiptar (simbas mendes së tij) ishte dakord për veprimin që ai kishte krye. Për këtë dhe Monsinjor Gaspër Gurakuqi kishte lëshue shprehjen e famshme të Shën Pjetrit: "In verbo tuo, laxabo rete".
Një ditë, tue pi kafet, i kuq si flaka në fëtyrë, Monsinjor Shllaku më tha: ‘Ndigjo Gjergj: Atë ditë ishte festë e madhe, festa e Zemrës së Krishtit. Pikërisht atë ditë të bekueme më pat thirrë Mehmet Shehu në kryeministri. Ndejem vetëm për vetëm. Më tha: "Ma jep dorën, Monsinjor Shllaku, dorën e besën shqiptare!". Ia dhashë dorën, ma shtërngoi fort e shtoi: "Qe besa e burrave shqiptarë! Për nder të flamurit e të partisë, derisa të jem unë gjallë, ipeshkvijtë shqiptarë, nëpërmjet kanalit të qeverisë, do të aprovohen prej Papës!”… Tash që më ndigjove, çka thue ti, Gjergj, për këtë lidhje me besa-besë?”.
"Imzot - i përgjegja - prej anës së kryeministrit qe një hap politik mjaft i goditun për të zgidhë nenin që kishte ndalë firmen dhe aprovimin e Statutit të Kishës Katolike Shqiptare. Ajo qe marrëveshje mes qeverisë dhe klerit katolik shqiptar. Veç ka vlerë sa të jeni ju të dy gjallë. I pari që të desë prej ju të dyve, marrëveshtja prishet!".
“Ashtu asht - m'u përgjegj dhe, tue çue grushtin përpjetë, me sa fuqi pat, i ra tavolinës me syprinë kristali, i cili u ba grimca-grimca, që u shkapërhapën nëpër qylym. E ai shtoi: - Kush të mbesë gjallë, të luftojë e të desë, në qoftë nevoja! Na deri këtu e prumë!”.
Bisedën me Patër Mëshkallën e mbylla me këto fjalë: - Monsinjor Shllaku ka dekë më 1957, por besa vazhdon. Ai ma priti: “A po e sheh, pra, sa pritje, durim, shpresë e besim duhet të ketë njeriu te Zoti, te Besa, te Burrnia?!”.
Megjithëse në Rrëshen të Mirditës Enver Hoxha kishte shpallë me të madhe: "Më në fund e ndamë Kishën katolike nga merimanga e zezë e Vatikanit"; shkëputja dhe ndamja nuk u banë kurr. 







All the contents on this site are copyrighted ©.