2006-11-08 20:05:23

SHBA: fitojnë demokratët. Bush humb rëndë.


(08.11.06 RV) Ndryshon Amerika pas zgjedhjeve të djeshme të mesit të mandatit. Fitojnë demokratët duke marrë në dorë pas 12 vjetësh Dhomën e Deputetëve me shumicën e 435 vendeve. Përsa i përket Senatit priten rezultatet në Virxhinia dhe Montana, pasi demokratët kanë të njëjtat vende me republikanët. E qartë humbja e republikanëve në zgjedhjen e guvernatorëve. Ndër 50 shtete, 28 i kanë në dorë demokratët e 22 republikanët. Demokratët kanë fituar në disa shtete të rëndësishme si Nju Jorku, Masaçusets, Ohajo, Kolorado dhe Arkansas.
“Një mesazh i fortë dhe i qartë për Bushin” titullonte sot gazeta amerikane “Nju Jork Tajms”. Të gjithë vënë në dukje se lufta në Irak dhe vendimet e presidentit amerikan në politikën e jashtme kanë ndikuar fuqimisht në rezultatet e zgjedhjeve, por për qytetarët e SHBA, në përgjithësi, zgjedhjet janë çështje e brendshme, prandaj nuk mund të thuhet me siguri se ata kanë votuar kundër luftës në Irak. Janë edhe problemet e brendshme të shoqërisë amerikane, si korrupsioni dhe humbja e vendeve të punës, ato që i kanë shtyrë zgjedhësit t’i thonë “jo” presidentit Xhorxh Bush, pas 6 vjetësh pushteti të padiskutueshëm.
Flitet më pak nga shtypi mbi çështjet e tjera për të cilat është votuar dje. Në 7 shtete nuk është pranuar propozimi për legalizimin e martesave ndërmjet personave të të njëjtit seks. Në Dakotën e Jugut, zgjedhësit kanë votuar kundër abortit e në Misuri është lejuar puna kërkimore-shkencore mbi qelizat staminale. Kalifornianët kanë hedhur poshtë propozimin për të rritur taksat mbi naftën, ndërsa në Arizonë, spanjishtja bëhet gjuha e dytë zyrtare.
Karakteristikë tjetër e këtyre zgjedhjeve janë edhe disa gjëra që ndodhin “për herë të parë në histori”. Për herë të parë një mysliman ngjit shkallët e parlamentit e për herë të parë një grua bëhet “spiker” (zëdhënëse) e Dhomës së Deputetëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.