8 nëntori 1462 datë e shkrimit të 'Formulës së Pagëzimit' nga imzot Pal Engjëlli
(08.11.06 RV) Duke shfletuar kalendarin historik, sot më 8 nëntor përkujtojmë
datën e shkrimit të dokumentit kishtar të kryeipeshkëvit të Durrësit, imzot Pal
Engjëllit, në gjuhën kishtare të kohës, latinisht, në të cilin dokument gjendet
në gjuhën shqipe “FORMULA E PAGEZIMIT”, që deri më sot konsiderohet si dokumenti
i parë shqip që njihet e që mbanë datën e 8 nëntorit të vitit 1462. Dokumenti
i kryeipeshkëvit shqiptar imzot Pal Engjëllit, mik, këshilltar e bashkëpunëtor i afërt
i Gjergj Kastriotit, Skenderbeut, ruhet në bibliotekën Laurentiane të Firencës dhe
për herë të parë është gjetur nga historiani rumun Nicolae Jorga më 1915. Dokumenti
është fryt i vizitës baritore që kryeipeshkvi shqiptar imzot Pal Engjëlli bëri si
bari e udhëheqës shpirtëror i gjirgjës së Zotit, nëpër Kisha famullitare dhe vise
të kryedioqezës së Durrësit. Në mbarim të kësaj vizite imzot Pal Engjëlli paraqet
pasqyrën e gjendjes së organizimit të Kishës, situatën e vështirë të banorëve e besimtarëve,
problemet e mëdha ekonomike e rreziqet që i kanoseshin aso kohe popullsisë dhe duke
u lënë porosi, në rend të parë priftërinjve por edhe besimtarëve (banorëve) të pagëzonin
foshnjat në rast të rrezikut të vdekjes me fjalët e Formulës së ritualit kishtar të
Pagëzimit… “Unë po të pagëzoj në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjt”.
Së fundi në këtë dokument imzot Pal Engjëlli u kërkon Eprorëve të Kishës së Romës
të ndihmojnë popullsinë e varfër e të vuajtur të këtyre viseve.