2006-11-07 17:47:40

Ipeshkvijtë gjermanë tek Papa për vizitë ad Limina.


(7.11.2006 RV) Dje Papa priti në audiencë grupin e parë të ipeshkvijve gjermanë. Prelatët, të kryesuar nga kryeipeshkvi i Berlinit, kardinali Georg Maksimilian Sterzinski, filluan kështu vizitën ad Limina, që do të vijojë deri më 18 nëntor .
Në këtë kontekst, po njihemi me rrethanat shoqërore-politike në të cilat kryen misionin Kisha katolike në Gjermani:
Gjermania, me më se 82 milion banorë, është shteti evropian më i populluar. 42, 8% e gjermanëve janë protestantë, 31, 6 % katolikë, ndërsa të tjerët, pakica myslimane dhe hebrenj. Grupi i dytë etnik është ai i turqëve, me më se 2 milionë. Që nga viti 2003 vendi ka nisur një plan reformash të sistemit fiskal dhe të tregut të punës, për të përballuar vështirësitë ekonomike, të cilat ndjehen që nga viti i kaluar. Këto vështirësi gjejnë shprehjen e vet tek ulja e konsumit dhe shtimi i papunësisë. Mjafton të kujtojmë se Gjermania sot numron 5 milion e 200 mijë të papunë.
Ungjillëzimi i popujve gjermanikë nisi në shekullin VIII përmes veprimtarisë së Shën Bonifacit, ipeshkëv e martir. Është ai që ndërtoi abacinë e famshme të Fuldës, ku edhe u varros. Në shekullin XVI, me Martin Luterin, në Kishën gjermane nisi skizma protestante. Filluan kështu luftërat dhe revolucionet shoqërore. Më pas, e pikërisht në vitin 1555, në Gjermaninë e kohës, të ndarë ndërmjet princave katolikë e princave protestantë, u vendos paqja e Augustës, e cila sanksionoi rregullin ‘cuius regio, eius religio’; kjo do të thotë se princave u njihej e drejta të zgjidhnin fenë që do të praktikonin ata e nënshtetasit e tyre.
Sot Kisha katolike në Gjermani ka 12. 310 famulli, 7 provinca kishtare, 29 dioqeza e kryedioqeza, ndërmjet të cilave edhe Ordinariati Ushtarak dhe Ekzarkati apostolik për besimtarët ukrainas të ritit bizantin, që kryesohen nga 108 ipeshkvij. Veprimtaria e tyre është plot gjallëri, gjë që e dëshmojnë edhe dokumentet e shumta që janë hartuar mbi katekizmin, doktrinën shoqërore të Kishës, ndryshimet antropologjike e jo më pak nismat baritore mbi të drejtën e strehimit, mbrojtja e festimit të së dielës, veprimtaria për parandalimin e abortit, përballimi i sfidave të reja të bioetikës, marrëdhëniet me pakicat fetare. Vitet e fundit Konferenca ipeshkvnore gjermane është marrë edhe me kujtesën historike, posaçërisht me Luftën II Botërore dhe përgjegjësinë e Gjermanisë në shfarosjen masive të hebrenjve, me punën për krijimin e marrëdhënieve miqësore me popujt fqinjë si dhe me procesin e ndihmës lidhur me rolin e vendit në Bashkimin Evropian.Kohët e fundit, përveç vështirësive të shkaktuara nga zbehja e praktikimit të fesë dhe pakësimi i thirrjeve meshtarake, Kisha duhet të përballojë edhe probleme të tjera që kanë të bëjnë me familjen e me ndihmën baritore për të divorcuarit e rimartuar. Domethënëse, në veprimtarinë aktuale ekumenike të Kishës, janë disa dokumente baritore të përbashkëta, si Deklarata e përbashkët mbi Doktrinën e shfajsimit, mendimet e përbashkëta lidhur me problemet etike e shoqërore si dhe kremtimi bashkarisht i Ditës ekumenike të Kishës në vitin 2003.







All the contents on this site are copyrighted ©.