2006-11-06 19:55:14

Sadam Hyseini, dënohet me vdekje për masakrën e 148 shiitëve në vitin 1983


(06.11.06. RV) Në plan të parë, dënimi me vdekje i ish-dikaktorit të Irakut. Sadam Hyseini, lideri i padiskutueshëm irakian për vite me radhë, presidenti i një diktature që qeverisi me gjak, u dënua me varje për masakrën e 148 shiitëve në vitin 1982.
Ky është vendimi i gjykatës së shkallës së parë, i cili u lexua sot para vetë Sadam Hyseinit dhe 6 të akuzuarve të tjerë, bashkëpunëtorë të tij. Nesër fillon procesi i apelit, i cili është i menjëhershëm në Irak, në rastin e dënimeve me vdekje.
“Allahu është i madh, rroftë Iraku dhe populli irakian”: me këto fjalë e priti ish-raisi vendimin që e dënon me varje, sëbashku me dy bashkëpunëtorë të tjerë. Ish-zv.presidenti i Irakut u dënua me burgim të përjetshëm e me 15 vjet tre ish-funksionarë të partisë Baat. Pavarësisht nga kënaqësia me të cilën është pritur dënimi i Saddam Hyseinit në botën perëndimore, jo të gjithë janë dakord që të dënohet me vdekje. Demokracia nuk ecën paralel me dënimin me vdekje, por a mund të flitet për demokraci në Irak? A thua vendi i lau hesapet me historinë në këtë mënyrë? Pyetëm at Mikele Simonen, zv.drejtor i revistës së jezuitëve “Civiltà Cattolica” (Qytetërimi katolik):
Sigurisht që jo, situata në Irak nuk zgjidhet me këtë dënim me vdekje. Shumë katolikë – e ne ndër ta – janë në parim kundër dënimit me vdekje. E edhe në një situatë si ajo e Irakut, në të cilën dënimet me vdekje faktikisht janë qindra çdo ditë, një më shumë nuk do të shërbente për asgjë. Natyrisht, në mentalitetin e irakianëve, mungesa e një dënimi me vdekje ndaj Sadamit, për arësye të politikës së brendshme, do të interpretohej si një privilegj, pasi vdekja është në rendin e ditës në Irak. Por të shpëtosh një jetë – e kjo nuk do të thotë të pranosh çka bërë Sadam Hyseini – është gjithnjë një fakt pozitiv.
Procesi i është lënë në dorë autoriteteve irakiane. Por mbi ç’bazë ligjore: atë të kohës së Sadam Hyseinit, apo mbi diçka tjetër? Në mikrofonin tonë drejtori i Fakultetit të Shkencave Politike në Universitetin “La Sapienza” të Romës, profesor Fulko Lankester:
Në të vërtetë, i është lënë në dorë autoriteteve irakiane. Janë ndryshuar anëtarët e Gjykatës. Janë zbatuar mekanizma juridike që ekzistonin më parë, por edhe janë rinovuar. Sipas meje, perspektiva nga e cila duhet gjykuar procesi i Sadamit është ajo e një procesi shembullor e, procesi shembullor nuk është kurrë i drejtë.
Kush ka jetuar nën diktaturë e di se procesin e vërtetë diktatorëve ua bën historia, por është e vështirë t’u kërkosh personave që kanë vuajtur gjithë jetën nën thundrën e tyre, t’ua shpëtojnë atyre kokën. Ndoshta, procesi shembullor në të tilla raste është i paevitueshëm, edhe për arësye se vendi nuk e ka akoma atë pjekuri e guxim që eviton politikën e tipit “dhëmb për dhëmb”.

E pas lajmit për dënimin me vdekje të Sadam Hyseinit, në pritje të procesit të apelit, kthehemi tek gjendja në Irak. Pavarësisht nga festimet apo nga protestat për vendimin me varje të ish-diktatorit, vendi nuk ka dalë nga gjendja e luftës në të cilën ndodhet. 3 ushtarë amerikanë janë vrarë në Al Anbar. Shtetrrethimi në Bagdad mbetet deri nesër. Presidenti amerikan Bush e ka quajtur dënimin e Sadam Hyseinit “një gur kilometrik në rrugën e popullit irakian për të zëvendësuar një regjim tiranik me shtetin e së drejtës”. Ky qëndrim dhe krejt politika e Bushit për Irakun, do të influencojnë pa dyshim zgjedhjet e nesërme të mesit të mandatit, siç quhen. Dhoma e Deputetëve dhe një pjesë e Senatit, sëbashku me guvernatorët e 36 shteteve do të rinovohen. Është prova e fundit para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2008, të cilat do të vendosin fatin e Xhorxh Bushit.







All the contents on this site are copyrighted ©.