2006-11-03 17:10:08

Problemi i paqartësisë në shkencë është në qendër të mbledhjes plenare të Akademisë Papnore të Shkencave, që filloi sot në Vatikan.


(3.11.2006 RV) Po diskutohet rreth temës tepër të rëndësishme e interesante: “Mundësia e shkencës për të parashikuar: saktësia e kufizimet”. Në qëndër të vëmendjes është posaçërisht problemi i paqartësisë së shkencës lidhur me tematika si parashikimi i tërmeteve ose rënia e trupave qiellore, përhapja e papritur e epidemive masive ose ndryshimet klimaterike. Por ç’ reflektim ngjall kjo përmasë e paqartësisë shkencore. Përgjigjet, në mikrofonin tonë, kancelari i Akademisë Papnore, imzot Marçelo Sançez Sorondo:
Përgjigje: - Natyrisht është ai (reflektim) që ngjall motori i madh e kërkimit shkencor sepse, siç thotë Shekspiri, ka shumë gjëra për të cilat nuk është menduar fare, por që në realitet kanë rëndësi të madhe. Realiteti është shumë më i madh se ai që mendojmë. Prej këndej burojnë edhe paqartësitë ose admirimi, që janë motori i kërkimit shkencor. Shkenca nuk mund t’i sundojë kurrë të gjitha sendet. Diçka do ta humbasë gjithnjë nga sytë: do ta humbasin sytë e mendja e njeriut, në sa Zotit nuk i shpëton asgjë. E kjo, sepse realiteti është shumë më i pasur sesa mendja jonë. Këtu qëndron dialektika ndërmjet asaj që mund ta dimë e asaj që nuk mund ta dimë.
Pyetje: - A zë vend tematika e fesë në këtë mbledhje plenare?Përgjigje: - Zë vend shumë mirë, sepse më duket se, siç thotë Koncili II i Vatikanit, një nga shkaqet për të cilat qytetet e sotme janë bërë ateiste, ose pjesërisht të tilla, duhet kërkuar pikërisht tek ideja se me shkencën nuk kemi më nevojë për Zotin, sepse mund ta njohim të ardhmen tonë. Por duhet ta dimë mirë se në këtë përfundim nuk arrijnë as shkencëtarët e mëdhenj, sepse ka fusha në të cilat shkenca nuk mund të japë përgjigje. Prej nga vimë e ku shkojmë? Kush jemi në thellësi të vetvetes? Shkenca mund të parashikojë shumë, posaçërisht me matematikën. Por matematika nuk mund t’u përgjigjet këtyre pyetjeve. Rëndësi ka të kuptojmë se feja përkon me shkencën, madje se është besimi ynë që ka ndikuar në zhvillimin e shkencës moderne.







All the contents on this site are copyrighted ©.