2006-11-03 17:05:35

Papa në Universitetin Gregorian: fati i njeriut pa lidhje me Zotin nuk mund të jetë tjetër, veç dëshpërim e ankth. Shpresa vjen nga Zoti-Dashuri, zbuluar në Krishtin.


(3.11.2006 RV)RealAudioMP3 Kultura shekullare bashkëkohore ka gjithnjë më shumë prirjen ta mohojë praninë e Zotit në jetën e njerëzve, e kjo shkëputje nga Zoti krijon ankth e dëshpërim: këtë kujtoi Benedikti XVI, i cili sot paradite vizitoi Universitetin Papnor Gregorian, themeluar më se 450 vjet më parë nga Shën Injaci i Lojolës, që sot numron 3 mijë studentë, të ardhur nga 130 vende, nga 821 dioqeza e nga 84 institute rregulltare. Në këtë universitet janë përgatitur e vijojnë të përgatiten shumë meshtarë e laikë shqiptarë.
Gjatë vizitës, Papa kujtoi edhe se dialogu ndërfetar, për të qenë i frytshëm, duhet të shmangë çdo lloj dyshimi.
Në Gregoriana Ati i Shenjtë u prit nga kardinali Zenon Groholevski, Kancelar i madh i universitetit; nga Atë Peter-Hans Kolvenbah, epror i përgjithshëm i Jezuitëve dhe nga rektori, Atë Gjanfranko Girlanda. Ndërmjet pritësve ishte edhe kardinali- vikar i Papës, Kamilo Ruini.
Nuk mjafton ta pranosh Zotin; për ta takuar realisht, duhet ta duash. Pranimi duhet të bëhet dashuri - kështu i porositi Papa besimtarët nga bashkësia akademike gregoriane, përmes një reflektimi të thellë kushtuar lidhjes ndërmjet fesë e kulturës në botën bashkëkohore. Fjalimi u shqiptua në një atmosferë posaçërisht festive, në kornizën elegante të sallës së hyrjes të Universitetit.
Papa, që në vitin 1972 drejtonte në Gregoriana një kurs specializimi të Teologjisë dogmatike, vuri menjëherë theksin mbi sfidat që duhet të përballojë sot universiteti i themeluar nga Shën Injaci, për të kryer detyrën e vet doktrinore, disiplinore e baritore:
“Sot nuk mund të mos llogaritet ballafaqimi me kulturën shekullare, e cila në shumë vende të botës priret gjithnjë më shumë jo vetëm ta mohojë çdo shenjë të pranisë së Zotit në jetën e shoqërisë e të njeriut, por përmes mjetesh të ndryshme, që e çorientojnë dhe e errësojnë ndërgjegjen e drejtë të njeriut, përpiqet ta zbehë aftësinë e tij për të dëgjuar zërin e Zotit. Nuk mund të shkëputet, pastaj, as nga lidhja me fetë e tjera, e cila luan një rol pozitiv vetëm në se shmang çdo dyshim që mund të dobësojë në ndonjë farë mënyre përmbajtjen themelore të besimit të krishterë në Krishtin, i vetmi Shëlbues i të gjithë njerëzve e në Kishën, sakrament i nevojshëm shëlbimi për mbarë njerëzimin”.
Ky është misioni i universitetit besuar Shoqërisë së Jezuitëve, mision që Papa e quajti ‘të lehtë e njëkohësiht të vështirë”. I lehtë – shpjegoi Ati i Shenjtë – sepse identiteti dhe misioni i Gregorianës janë të qarta që nga zanafilla, kur quhej akoma Kolegji Romak, mbi bazën e porosive të dhëna nga shumë papë të Romës, ndër të cilët 16 qenë nxënës të kësaj shkolle të lartë. Por edhe i vështirë – shtoi Papa - sepse ky mision kërkon besnikëri të përhershme ndaj historisë e traditës, për të mos i humbur rrënjët historike, e njëkohësisht edhe aftësi për t’ia hapur portat realitetit aktual, duke iu përgjigjur kështu, pas gjykimit me frymë krijuese, nevojave të Kishës e të botës së sotme. Në këtë kontekst, Benedikti XVI vuri theksin tek rëndësia e shkencave humane që studjohen në universitet. Pikërisht sepse këto shkenca kanë të bëjnë me njeriun – vërejti Papa – nuk mund të mos përfshijnë edhe lidhjen e tij me Zotin, për vetë faktin se njeriu nuk mund të kuptohet plotësisht, në se nuk ia hap zemrën Zotit:
“Në se i mungon lidhja me Zotin, njeriu nuk mund t’u përgjigjet pyetjeve themelore që e shqetësojnë e do ta shqetësojnë gjithnjë zemrën e tij, në sa mendon për fundin e, prej këndej, për kuptimin e vetë jetës. Për pasojë, nuk është e mundur të depërtojnë në shoqëri vlerat etike, të vetmet që mund të sigurojnë një bashkëjetesë të denjë për njeriun. Fati i njeriut, pa lidhjen me Zotin, nuk mund të jetë tjetër, veç ai i pikëllimit që shkaktohet nga ankthi e që çon në dëshpërim”.
Vetëm në lidhjen me Zotin-Dashuri, që u zbulua në Jezu Krishtin – shtoi Papa – njeriu mund të gjejë kuptimin e jetës e të jetojë me shpresë, ndonëse i duhet të provojë fatkeqësitë që trondisin jetën e tij e të shoqërisë në të cilën jeton. Prej këndej theksoi forcën e kësaj shprese, që ia ndryshon faqen botës:
Shpresa bën që njeriu të mos mbyllet në nihilizëm paralizues e shterpë, por të impenjohet bujarisht në shoqërinë ku jeton, për ta përmirësuar atë. Është kjo detyra që Zoti ia ka besuar njeriut, duke e krijuar sipas shembëlltyrës së vet, detyrë që e mbush çdo njeri me dinjitetin më të madh, por edhe e ngarkon me përgjegjësi të madhe”.
Si foli për qëllimet e shkencës teologjike dhe për rëndësinë që ka në zbatimin praktik, Papa e quajti drejtimin e Universitetit Gregorian një nga shërbimet më të mëdha që i bën Shoqëria e Jezuitëve Kishës Universale, impenjim që lind nga dashuria për vetë Kishën. Prandaj, si porositi të ruhet shpirti injacian, kujtoi se sivjet universiteti ka nisur vënien në jetë të një programi për formimin e laikëve, që të mund ta jetojnë thirrjen e tyre kishtare të impenjimit etik në sferën publike. Pasi përfundoi fjalimin, Papa shkoi në Qendrën e takimeve “Mateo Riçi”, ku vizitoi ekspozitën e botimeve të Gregorianës dhe dokumentet e arkivit historik. Para se të kthehej në Vatikan, Benedikti XVI u takua privatisht me bashkësinë e etërve jezuitë në Sallën Lojola dhe përshëndeti korin e Kolegjit papnor gjermaniko-hungarik në tremen e universitetit.







All the contents on this site are copyrighted ©.