2006-11-02 16:12:35

Në sa Kisha përkujton besimtarët e vdekur, Papa u lut në Kriptën e Vatikanit pranë varreve të paraardhësve të tij.


(2.11.2006 RVRealAudioMP3 Sot Kisha u lut për gjithë të vdekurit. Edhe Benedikti XVI u gjunjëzua në kriptën e Vatikanit, pranë varreve të paraardhësve të tij. Ndërsa dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, në reflektimin kushtuar vdekjes dhe jetës së pasosur, Papa kujtoi dëshirën e shumë besimtarëve për t’u takuar me të vdekurit e dashur në jetën e përtejme E gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur një vit më parë, Ati i Shenjtë i nxiti besimtarët ta shikojnë enigmën e vdekjes me qetësi e shpresë, të ndriçuar nga feja e nga drita e ngjalljes së Krishtit.
Gjithçka kalon, po Zoti mbetet – pohoi dje Papa – e caku i jetës sonë është takimi ballë për ballë me Zotin. E megjithatë të duket sikur njeriu nuk do ta shikojë këtë realitet:
“Njeriu modern e pret akoma këtë jetë të pasosur, apo beson se ajo tashmë i përket një mitologjie të vjetëruar? Në kohën tonë, më shumë se në të kaluarën - vërejti Benedikti XVI - njerëzit merren aq shumë me gjërat tokësore, sa nganjëherë harrojnë se Zoti është protagonist i historisë e i vetë jetës sonë. Por jeta njerëzore, për vetë natyrën e saj, priret nga një cak shumë më i lartë, që qëndron mbi këtë natyrë: e pamposhtur është etja e njeriut për drejtësi, për liri, për lumturi të plotë.
Enigma e vdekjes – shpjegonte Papa një vit më parë – ndërthuret me mendimin si të jetojmë mirë, si të gjejmë lumturinë, e njëkohësisht me pritjen e gjyqit të mbram, që do të vendosë përfundimisht drejtësinë. E duke kujtuar këtë, Papa pohon:
“Lum njeriu që dhuron; lum ai që nuk e jeton jetën vetëm për vetvete, por edhe për të tjerët; lum njeriu i mëshirshëm, i mirë e i drejtë; lum njeriu që jeton në dashurinë e Zotit e të afërmit. Kështu jetojmë mirë e kështu nuk duhet të kemi frikë nga vdekja, sepse jemi në lumturinë që vjen nga Zoti e nuk soset kurrë”.
Në qendër të fesë së krishterë është misteri i vdekjes e i ngjalljes së Krishtit: “Ngjallja e Krishtit – tha Papa në takimin e Veronës më 19 tetorin e kaluar - ishte si shpërthim drite, shpërthim dashurie që copton prangat e mëkatit e të vdekjes. Përuroi kështu një përmasë të re të jetës e të realitetit, nga e cila lind një botë e re, e cila depërton vazhdimisht në botën tonë, e shndërron atë dhe e bën për vete”.
Me këtë siguri të krishterët e shikojnë jetën e pasosur, por pa i harruar detyrat që kanë sa janë ende në botë: këmbët i kanë në tokë – tha dje Papa – por zemrën në qiell, në banesën e përfundimtare të miqve të Zotit:
“Jeta e amshuar, për ne të krishterët, nuk është thjeshtë një jetë që s’ka fund, por sidomos një cilësi e re e jetës, e shkrirë plotësisht në dashurinë e Zotit, i cili na çliron nga e keqja e nga vdekja e na bën të bashkohemi përgjithmonë me të gjithë vëllezërit e motrat që marrin pjesë në të njëjtën dashuri të Zotit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.